RTSH 24 Live

Botë

BE, konferencë donatorësh për Turqinë dhe Sirinë, von der Leyen: Jemi në garë me kohën për të shpëtuar jetë

08/02/2023

BE, konferencë donatorësh për Turqinë dhe Sirinë, von der Leyen: Jemi në garë me kohën për të shpëtuar jetë

BE ka njoftuar planet për të mbajtur një konferencë donatorësh muajin e ardhshëm për të grumbulluar ndihma ndërkombëtare për Sirinë dhe Turqinë pas tërmetit katastrofik të së hënës. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen shkroi në Tëitter se gara është me kohën për të shpëtuar jetë.

"Së shpejti do të ofrojmë ndihme, së bashku. Turqia dhe Siria mund të mbështeten te BE", shkroi ajo në Twitter.

Veprimtaria, që synon bashkërendimin e reagimit ndërkombëtar ndaj katastrofës, do të jetë e hapur për vendet anëtare të BE-së, vendet fqinje dhe anëtarët e OKB-së.

"Askush nuk duhet të lihet vetëm kur një tragjedi si kjo godet një popull", tha von der Leyen.

Takimi do të bashkëkryesohet, në Bruksel, nga Suedia, e cila aktualisht mban presidencën e rradhës të BE-së.

"Suedia dëshiron të sigurojë që ndihma e BE-së të jetë e përshtatshme për të përmbushur nevojën e popullit turk dhe sirian në këtë kohë të tmerrshme", tha kryeministri suedez Ulf Kristersson./ BBC

/rtsh.al/