RTSH 24 Live

Europë

BE kërkon kufizimin e dhënies së vizave për qytetarët rusë

30/09/2022

BE kërkon kufizimin e dhënies së vizave për qytetarët rusë

BE kërkon kufizimin e dhënies së vizave për qytetarët rusë

Zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian për migracionin të premten u kërkoi 27 vendeve të bllokut që të ndalojnë dhënien e vizave për qytetarët rusë mes shqetësimeve të shtuara të sigurisë mbi kërcënimet bërthamore të presidentit rus Vladimir Putin dhe aneksimin e tij të pjesëve të Ukrainës, shkruan Associated Press.

“Ky është padyshim një përshkallëzim dhe kjo do të thotë gjithashtu një përshkallëzim i kërcënimit të sigurisë ndaj Bashkimit Evropian”, tha Komisionerja e Migracionit, Ylva Johansson.

Ajo u kërkoi vendeve të BE-së të zbatojnë kontrolle më të rrepta ndaj qytetarëve rusë dhe t'i mohojnë dokumentet kujtdo që mund të përbëjë një kërcënim.

Mbi 194,000 qytetarë rusë kanë ikur në Gjeorgjinë, Kazakistanin dhe Finlandën fqinje – shpesh me makinë, biçikletë ose në këmbë – që kur Putin javën e kaluar njoftoi një mobilizim të pjesshëm të rezervistëve për të forcuar trupat e tij në Ukrainë. Në Rusi, shumica dërrmuese e meshkujve nën 65 vjeç janë të regjistruar si rezervistë.

Johansson tha se autoritetet e BE-së duhet të ndalojnë mbajtësit e vizave afatshkurtra nga Rusia që t'i rinovojnë ato në Evropë. "Nëse një person rus synon të qëndrojë më shumë se 90 ditë në BE, atij ose asaj nuk duhet t'i lëshohet vizë," u tha ajo gazetarëve.

Johansson tha gjithashtu se rusët që kanë ikur nga vendi nuk duhet të lejohen të aplikojnë për viza jashtë vendit.

"Ata duhet ta bëjnë këtë nga vendi i tyre, Rusia," tha ajo, por nënvizoi se ata duhet të lejohen për arsye humanitare ose rrethana të tjera të jashtëzakonshme.

Johansson u kërkoi gjithashtu vendeve të rivlerësojnë nëse vizat tashmë të vlefshme duhet të ishin lëshuar. Ajo tha se asnjë nga masat që po rekomandon Komisioni Evropian, dega ekzekutive e BE-së, nuk do të ndalojë qytetarët rusë të aplikojnë për azil në Evropë.

“E drejta për të pasur një vizë afatshkurtër në BE nuk është një e drejtë themelore. eshte privilegj. E drejta për të aplikuar për azil është një e drejtë themelore”, tha Johansson.  ( Marrë nga Associated Press)