RTSH 24 Live

Ekonomi

BE-ja propozon pezullimin e 7.5 miliardë eurove për Hungarinë

18/09/2022

BE-ja propozon pezullimin e 7.5 miliardë eurove për Hungarinë

Dega ekzekutive e Bashkimit Evropian rekomandoi sot (e diel), që blloku të pezullojë rreth 7.5 miliardë euro (dollarë) fonde për Hungarinë, pas shqetësimeve rreth problemeve me shtetin demokratik dhe keqmenaxhimit të parave të BE-së.

Komisioni Evropian, i cili propozon ligjet e bllokut dhe siguron respektimin e tyre, tha se po vepronte "për të siguruar mbrojtjen e buxhetit të BE-së dhe interesave financiare të BE-së, kundër shkeljeve të parimeve të shtetit të së drejtës në Hungari".

Komisioneri i BE-së për buxhetin, Johannes Hahn tha se pavarësisht masave që Hungaria ka propozuar për të adresuar mangësitë, komisioni po rekomandon pezullimin e fondeve “që arrijnë në një shumë të vlerësuar prej 7.5 miliardë eurosh”.

Paratë do të vinin nga "fondet e kohezionit" të dhëna Hungarisë. Kjo shumë parash, një nga pjesët më të mëdha të buxhetit të bllokut, i ndihmon vendet të sjellin ekonomitë dhe infrastrukturën e tyre në standardet e BE-së.

Vendet e BE-së paguajnë rreth 1% të të ardhurave të tyre kombëtare bruto në buxhet. Hungaria është planifikuar të marrë të paktën 50 miliardë euro në total nga buxheti 2021-2027, sipas vlerësimeve të komisionit.

Çdo veprim për pezullimin e fondeve duhet të miratohet nga vendet anëtare të BE-së dhe kjo kërkon një "shumicë të kualifikuar", e cila arrin në 55% të 27 anëtarëve që përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë totale të BE-së.

Ata kanë një muaj kohë për të vendosur nëse do të ngrijnë fondet e Hungarisë, por në rrethana të jashtëzakonshme mund ta zgjasin atë periudhë në dy muaj. Komisioni po rekomandon që vendet anëtare të marrin kohë deri më 19 nëntor për t'i lënë Hungarisë më hapësirë për të adresuar shqetësimet.

Komisioni ka akuzuar për gati një dekadë kryeministrin hungarez Viktor Orban, për shpërbërjen e institucioneve demokratike, marrjen e kontrollit të medias dhe shkeljen e të drejtave të pakicave. Orban, i cili ka në detyrë që nga viti 2010, i mohon akuzat.

Duke folur pas një takimi të komisionerëve të BE-së në Bruksel, i cili miratoi njëzëri masën, Hahn përshëndeti ofertën e Hungarisë për të rregulluar problemin, duke thënë se veprimi i propozuar i saj korrigjues shkon "në drejtimin e duhur".

Ai tha se masat mund të adresojnë disa nga shqetësimet e komisionit. Por ai tha se “rreziku për buxhetin në këtë fazë mbetet, prandaj nuk mund të konkludohet se buxheti i BE-së është shumë i mbrojtur”.

Frika e komisionit fokusohet në prokurimet publike - blerjet nga shteti të mallrave dhe shërbimeve ose për ekzekutimin e projekteve, duke përdorur fondet e BE-së. Kritikët thonë se dhënia e kontratave të tilla i ka lejuar qeverisë së Orban të kanalizojë shuma të mëdha parash të BE-së në biznese të lidhura me qeverinë.

Një zyrtar i lartë i BE-së vuri në dukje “parregullsitë sistematike, mangësitë dhe dobësitë në prokurimet publike, që lidhen me normat shumë të larta të ofertave të momopolizuara”.  Zyrtarët vlerësojnë se rreth gjysma e tenderave publikë të Hungarisë jepen me një ofertues të vetëm. 

Komisioni gjithashtu ka “shqetësime serioze në lidhje me zbulimin, parandalimin dhe korrigjimin e konflikteve të interesit”, si dhe për një numër fondesh me interes publik që menaxhojnë fonde të konsiderueshme, dhe veçanërisht në fushën e arsimit. 

Mediat hungareze kanë raportuar se qeveria nacionaliste e Orban do të shpallë legjislacionin e ri. Ligjvënësit e BE shprehën shqetësim javën e kaluar se kjo mund të jetë thjesht një dredhi për të fituar kohë. Në një rezolutë të enjten, ligjvënësit thanë se qeveria nacionaliste e Hungarisë po përpiqet qëllimisht të minojë vlerat demokratike të bllokut. 

Ata thanë se qeveria në Budapest - të cilën Orban e karakterizon si një "demokraci joliberale" - është bërë "një regjim hibrid i autokracisë zgjedhore". Pjesërisht, ata fajësojnë vendet anëtare të BE-së për këtë, për mbylljen e syve ndaj abuzimeve.

Parlamentarja franceze e të Gjelbërve që udhëhoqi rezolutën përmes asamblesë, Gwendoline Delbos-Corfield, tha se "për herë të parë, një institucion i BE-së po thotë të vërtetën e trishtuar, se Hungaria nuk është më një demokraci".

Çështja, e nisur nga komisioni kundër Hungarisë në prill, është një hap i ri në përdorimin e një mekanizmi të ri që lejon BE-në të ndërmarrë veprime për të mbrojtur buxhetin e saj. Ai nuk synon vetëm vendet anëtare për shkelje të përgjithshme të ligjit të BE-së.

Mekanizmi shihet si arma më e fuqishme e BE-së për të parandaluar një përkeqësim të lëvizjeve antidemokratike në disa vende.  Zyrtarët e Komisionit kanë thënë se Hungaria ka dështuar vazhdimisht në zbatimin e rekomandimeve të BE-së, për më shumë se 10 vjet. Apnews

/rtsh.al/