RTSH 24 Live

Europë

BE-ja dënon Rusinë për nxitje të migrantëve drejt kufirit me Finlandën

17/11/2023

BE-ja dënon Rusinë për nxitje të migrantëve drejt kufirit me Finlandën

Bashkimi Evropian e ka akuzuar të premten Rusinë për përdorim “të turpshëm” të migrantëve, për ta rritur presionin te shtetet tjera, duke thënë se ka vërejtur rritje të numrit të azilkërkuesve pa dokumente, duke e kaluar kufirin e Rusisë me Finlandën, njofton Radio Evropa e Lirë.

Helsinki ka bërë të ditur të enjten se do t’i mbyllë katër prej tetë pikave kufitare me Rusinë gjatë fundjavës, për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesve.

Kryeministri i Finlandës, Peteri Orpo ( Petteri Orpo ), ka thënë se Rusia po synon ta destabilizojë shtetin e tij, pas vendimit për t’u anëtarësuar në NATO, më herët gjatë vitit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen ( Ursula von der Leyen ), ka folur me Orpon të enjten, dhe ka thënë se “instrumentalizimi i migrantëve” nga ana e Rusisë, është “diçka e turpshme”.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Kristian Uigënt ( Christian Wigand ), ka thënë të premten se Brukseli e ka vërejtur një rritje të azilkërkuesve pa dokumente prej Federatës Ruse në Finlandë.

“Ne jemi duke e ndjekur nga afër situatën. Ne jemi në kontakt me autoritetet finlandeze dhe gardën kufitare finlandeze”, ka thënë ai.

Lidhjet e Helsinkit me Moskën janë përkeqësuar prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Diçka e tillë e ka nxitur Finlandën që ta braktisë qëndrimin neutral dhe t’i bashkohet NATO-s, për ta rritur sigurinë e vendit.

Ky shtet nordik ndan kufi prej 1.340 kilometrash me Rusinë.

Raportohet se vetëm në shtator në Finlandë kanë shkuar 280 azilkërkues.

Brukseli e ka akuzuar në të kaluarën Bjellorusinë, aleaten e Rusisë, se i ka nxitur mijëra migrantë pa dokumente që ta kalojnë kufirin me Poloninë dhe Lituaninë, si hakmarrje për sanksionet e bllokut evropian.

Polonia e ka akuzuar në gusht Rusinë dhe Bjellorusinë për orkestrim të fluksit të ri të migrimit.

( Sipas Radios Evropa e Lirë )

/ rtsh.al /