RTSH 24 Live

Botë

BE-ja bën thirrje për një fillim të ri të raporteve me SHBA-në

20/01/2021

BE-ja bën thirrje për një fillim të ri të raporteve me SHBA-në

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për një fillim të ri të raporteve me SHBA-në.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, foli për nevojën e një “pakti të ri" për marrëdhëniet transatlantike. Ai e ftoi presidentin e zgjedhur amerikan, Joe Biden për një samit SHBA-BE në Bruksel.

“Sot është mundësia e rinovimit të raporteve transatlantike të cilat kanë pësuar gjatë katër vjetëve”, tha Michel.

"Më shumë se kurrë më parë kjo kërkon që evropianët të marrin përsipër fatin e tyre për të mbrojtur interes dhe vlerat tona. Së bashku me SHBA-në duhet të qëndrojmë si një shtyllë e fortë për mbrojtjen e rendit botëror të bazuar në ligje, duke punuar për paqe, siguri, prosperitet, liri, të drejta të njeriut dhe barazi gjinore”, ka shtuar Michel.

Komentet janë bërë gjatë një debati të organizuar në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Ai nuk e shtjelloi më shumë idenë e një pakti të ri SHBA-BE, por tha se përmes tij duhet shtuar marrëdhëniet shumëpalëshe, të trajtohet pandemia e COVID-19 dhe ndryshimi i klimës, si dhe të adresojë çështjet ekonomike dhe të sigurisë.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, foli me tone të njëjta, në favor të një rivendosjeje në marrëdhëniet transatlantike me Uashingtonin.

“Ky agim i ri në Amerikë është momenti që kemi pritur", tha von der Leyen.

Liderët e grupeve politike në Parlamentin Evropian, me përjashtim të atyre nga e djathta ekstreme, kanë bërë thirrje për fuqizim të raportit të BE-së me Shtetet e Bashkuara.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë fuqitë kryesore tregtare në botë dhe kanë lidhje të ngushta kulturore, historike, biznesi dhe mbrojtjeje, por presidenti në largim, Donald Trump u përpoq të shmangte BE-në, duke mbrojtur largimin e Britanisë së Madhe nga blloku.