RTSH 24 Live

Botë

BE do krijojë platformë për rindërtimin e Ukrainës! Kryeministri ukrainas: Kosto t’i faturohet rusëve të pasur

04/07/2022

BE do krijojë platformë për rindërtimin e Ukrainës! Kryeministri ukrainas: Kosto t’i faturohet rusëve të pasur

Në Lugano të Zvicrës u zhvillua konferenca mes liderëve të BE për të krijuar planin për rindërtimin e Ukrainës pas luftës. Kryeministri ukrainas, Denys Shmygal tha se fatura e kostos së rindërtimit që mund të shkojë deri në 750 miliardë euro t’i faturohet rusëve të pasur.

"Ne besojmë se burimi kryesor i rimëkëmbjes duhet të jenë asetet e konfiskuara të Rusisë dhe oligarkëve rusë. Autoritetet ruse nisën këtë luftë të përgjakshme. Ata shkaktuan këtë shkatërrim masiv dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi për të", tha ai duke cituar vlerësimet se asetet e ngrira ruse kapnin vlerën 300-500 miliardë dollarë.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Bashkimi Evropian do të krijojë një platformë qendrore për të koordinuar përpjekjet e rindërtimit dhe gjithashtu do të ndihmojë në çimentimin e statusit të Ukrainës si një kandidate për anëtarësim në BE, për të cilën BE ra dakord në samitin e qershorit.

"Që nga fillimi i luftës, Bashkimi Evropian ka mobilizuar rreth 6.2 miliardë euro mbështetje financiare dhe më shumë do të vijnë. Ne do të angazhohemi në mënyrë thelbësore në rindërtimin afatmesëm dhe afatgjatë”, tha Von der Leyen.

Pas vitesh pune të ngushtë me Ukrainën, Von der Leyen tha se Evropa kishte një përgjegjësi të veçantë dhe një interes strategjik për ta ndihmuar atë.

“Qëllimi i Kremlinit është shkatërrimi ushtarak, politik dhe ekonomik i Ukrainës. Ata duan të minojnë vetë ekzistencën e Ukrainës si shtet. Ne nuk mund dhe nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë”, tha ajo.

Platforma do të hartojë nevojat për investime dhe burimet e kanaleve duke bashkuar vendet, sektorin privat, shoqërinë civile, si dhe organizatat ndërkombëtare, si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane e Investimeve.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky përshëndeti përpjekjet e rindërtimit gjatë konferencës në Zvicër.

"Të rindërtosh Ukrainën do të thotë të rivendosësh parimet e jetës, të rivendosësh hapësirat e jetës, të rivendosësh atë që i bën njerëzit njerëz," tha ai gjatë një mesazhi me video.

Rusia e ka përshkruar pushtimin e saj të Ukrainës, të filluar më 24 shkurt 2022, si "një operacion special ushtarak".

/rtsh.al/