RTSH 24 Live

Ekonomi

Bastet sportive online, Ibrahimaj: Ligji hidhet për konsultim javën e ardhshme!

31/03/2023

Bastet sportive online, Ibrahimaj: Ligji hidhet për konsultim javën e ardhshme!

Në fillim të javës së ardhshme do të hidhet për konsultim publik ligji për hapjen e basteve sportive online. 

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, gjatë konferencës mbi ecurinë e treguesve të ekonomisë shqiptare gjatë 3-mujorit të parë të vitit.

“Ligji parashikon rihapjen online te basteve sportive, dhe jo të gjitha basteve siç kanë qenë më parë në pika fizike.

Ligji do të hidhet për konsultim publik në fillim te javës së ardhshme dhe do të kalojë fazat e konsultimit publik dhe më pas do të shkojë në qeveri dhe do të ndjekë fazat e miratimit në parlament" tha ministrja Ibrahimaj.

Sipas saj do të ketë tryeze konsultimi me të gjitha grupet e interesit në mënyrë që të arrijmë me një draft ligjor sa më të konsoliduar dhe të parashikojë mbrojtjen sociale për ata kategori që janë të prekura nga ky ligj.

Sipas draft-ligjin që do diskutohet është vendosur se bastet do taksohen 25% të ardhurave bruto. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka parashikuar se do të grumbullojë rreth 17 milionë euro në buxhet.

31 dhjetori 2018 ishte dita e fundit e punës për bastet si edhe lorjave të fatit në Shqipëri. 

Në atë kohë u mbyllën afërsisht 5000 lokale.

Ish Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj paralajmëroi se  “një lokal bastesh do të trajtohet si një parcelë kanabisi”.

Por katër vjet pasi i shpalli të paligjshme lojërat e fatit, kryeministri Edi Rama tha se aktiviteti kishte vazhduar njësoj në të zezë.

“Fakti që ky aktivitet nuk ka ardhur në rënie, që pavarësisht arrestimeve, dënimeve, në një pjesë të caktuar edhe gjykatat kanë dhënë kontributin e tyre negativ… sidoqoftë nuk ka rënë si aktivitet; nuk ka rënë si numër pjesëmarrësish, e bën të domosdoshëm këtë reflektim që bëjmë sot,” tha Rama.

Sipas tij, aktiviteti është zhvilluar në të zezë nga elementë kriminalë. Kryeministri e cilësoi ndërhyrjen si një zgjidhje që do të ndihmonte ekonominë, duke pranuar se bastet online qarkullonin miliona euro në vit. 

Zoti Rama ka folur edhe për licensim të kompanive ndërkombëtare në Shqipëri.

Opozita e djathtë e ka cilësuar hipokrizi vendimin e kryeministrit socialist, duke i kujtuar aksionin e mbylljes së lojërave të fatit në fillimet e qeverisjes së tij në vitin 2013. 

/ rtsh.al /