RTSH 24 Live

Aktualitet

Bashkia rimerr në administrim kompleksin e pishinave, Veliaj: Do të transformohen në hapësira për sportistët dhe fëmijët

19/05/2022

Bashkia rimerr në administrim kompleksin e pishinave, Veliaj: Do të transformohen në hapësira për sportistët dhe fëmijët

Bashkia e Tiranës ka marrë në administrim kompleksin e pishinave pranë digës së liqenit artificial. Teksa inspektoi punimet kryetari i bashkisë Tiranë Erion Veliaj bëri me dije ambientet që do të transformohen do t’i shërbejnë jo vetëm klubit shumësportësh “Tirana”, por edhe fëmijëve të qytetit.

Morëm në administrim parkingjet e qytetit, të cilat privati i zinte me arka. Sot bashkia i menaxhon shumë herë më mire, në mënyrë më transparente, dhe të ardhurat shkojnë për shërbime që i kthehen sërish qytetarëve. Nuk shoh asnjë arsye pse çunat dhe gocat e Tiranës të stërviten në kompani private, kur mjediset sportive mund t’i ofrojë fare mirë bashkia, në mënyrë që Federata e Notit, sidomos ekipi i Tiranës, të ketë ndoshta kushtet më të mira në Shqipëri, siç kemi bërë me kushtet për Federatën e Volejbollit, të Basketbollit, të Peshëngritjes dhe Atletikës”, tha kryebashkiaku.

Veliaj u ndal edhe tek zgjedhjet për Shoqatën e Futbollit të Tiranës, kur tha se në këtë kompleks do të ketë hapësirë edhe për futbollin kryeqytetas.

Duke qenë se ka rreth 6 fusha futbolli, do të jetë një mjedis që do të përdoret nga Shoqata e Futbollit e Tiranës. Gjykata, Federata, qyteti, e njohën rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë. Nuk lejuam që zgjedhjet të vidheshin, siç ndodhi nëpër qarqet e tjera. E kuptoj që FSHF e ka të vështirë ta “gëlltisë” drejtësinë, aty ku zgjedhjet nuk bëhen me komandë, por bëhen me ndershmëri. Megjithatë, derisa Federata të kuptojë se do të duhet të pranojë pluralizëm, Shoqata e Tiranës do t’i ketë këtu ambientet, edhe fushat sportive, që çdo çuni e goce t’i jepet një shans që të shkëlqejë dhe të mos trajtohet si një mall që duhet të paguajë për të avancuar në fazën tjetër të karrierës”, deklaroi ai.

Kreu i Bashkisë bëri me dije se shumë shpejt të gjitha mjediset e Parkut Olimpik do të vendosen në funksion të Federatave të tjera sportive.

Tani që kemi një Komitet Olimpik funksional, me njerëz që duan të merren me sport dhe jo me politikë, dhe tani që federatat janë thuajse të kompletuara me njerëz seriozë, që e kanë sportin pasion, besoj se është në dinjitetin tonë që ta lirojmë atë hapësirë”, nënvizoi Veliaj.

Ai siguroi se transformimit do t’i nënshtrohet edhe ish-kompleksi sportiv Dajti.

Fillimisht u lirua hapësira te “7 Xhuxhat” - edhe aty thanë se do të bëhej pallat - por jo, bashkia bëri dy kate parking poshtë. Edhe këtu duhet të mendojmë për parkingun sepse ka një pafundësi kërkese për ata që frekuentojnë Parkun e Liqenit. Të njëjtën gjë do të bëjmë te Kompleksi Dajti, pasi ka mbaruar kontrata e qirave dhe atë kompleks duam ta transformojmë, për ta kthyer në kompleks sportiv, pavarësisht çfarë do të thonë gjobaxhinjtë e portaleve”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se pavarësisht spekulimeve, në fund flasin veprat.

Thamë shesh, bëmë shesh. Thamë Pazarin, bëmë Pazar. Thamë Kala, bëmë Kalanë. Thamë pistën te Liqeni, bëmë pistën te Liqeni. Thamë stadium, u bë stadiumi. Thamë Piramidën, bëmë Piramidën, Kopshtin Zoologjik po kështu. Siç po themi edhe për këtë kompleks të madh olimpik, që do bashkohet me Parkun Olimpik, apo edhe për kompleksin Dajti, të tilla do t’i bëjmë”, siguroi kreu i Bashkisë.

Veliaj fajësoi gjykatat për bllokim të disa projekteve transformuese në Tiranë dhe i kërkoi atyre që të heqin dorë nga këto bllokime.

 “I kërkoj gjyqtarit të zhbllokojë dy vilat pa leje që janë te Liqeni. Janë prishur 98, në buzë të Liqenit, dhe nuk ka mbaruar ende 100% projekti i transformimit të Liqenit për dy shtëpi pa leje, të vendosura në buzë të tij, që deri dje derdhnin ujërat e zeza aty. Nuk po kërkoj shtëpinë time, po kërkoj që të largohen njerëz që kanë ndërtuar pa leje në buzë të Liqenit. Kush ka marrë ose po tenton të marrë masa bllokimi në Gjykatë, unë do sigurohem që jo vetëm t’i bie pas çdo padrejtësie, por të sigurohem që gjithë qyteti ta dijë kush janë ata gjyqtarë që na bllokojnë në këto histori. Kush janë ata që japin masë bllokimi që të mos mbarojë projekti i Liqenit? Kush guxon të bëjë një padrejtësi të tillë, e ka bërë padrejtësinë jo ndaj meje, por e ka bërë padrejtësinë ndaj fëmijëve të këtij qyteti, që presin të lirohet e gjithë kjo hapësirë. Ka ardhur momenti që edhe gjyqtarët ta ndajnë mendjen me kë janë?! Janë me popullin apo janë me ca interesa banale të disa zaptueseve, që për 30 vjet kanë shirë dhe kanë bërë përshesh”, theksoi kreu i Bashkisë.