RTSH 24 Live

Sociale

Bashkia Dropull vijon punën për përmirësimin e infrastrukturës rrugore

20/02/2021

Bashkia Dropull vijon punën për përmirësimin e infrastrukturës rrugore

 

Me përmirësimin e motit, Bashkia Dropull ka filluar punën në terren për përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Pas ndërhyrjes në fshatrat Dervician e Goranxi, mjetet e punës janë zhvendosur në Dropullin e Sipërm, në fshatin Ai-Nikolla, ku punohet për riparimin e rrugës në gjatësinë 1800 metra. Kryesisht gjatë stinës së dimrit lëvizja në të bëhej e pamundur për shkak të gjendjes tejet të  amortizuar. Kryetari i bashkisë, Dhimitër Toli, thotë për mikrofonin e RTSH Gjirokastra se puna do të vijojë në çdo fshat, pasi problematikat janë shtuar edhe nga rreshjet e dendura të këtij dimri.

“Sot në fshatin Ai - Nikolla bëjmë mbushjen e rrugës, siç do bëhet dhe në çdo fshat të Dropullit, siç është bërë para dy javësh në Goranxi, Dervician, me mundësitë që kemi ne si bashki, me mjetet që kemi në dispozicion. Rruga ka gjatësi 1800 metra, në pjesën që po riparojmë tani. Bashkia Dropull do vazhdojë të punojë në të gjitha fshatrat, për ta bërë çdo rrugë të kalueshme me makinë, se kemi pasur mjaft probleme nga rreshjet e këtij dimri.”- thotë kryebashkiaku i Dropullit, Dhimitër Toli.

Dropulli ishte një nga zonat më të prekura, në Gjirokastër, gjatë situatës së emergjencave këtë dimër, si në përmbytje ashtu edhe në furnizimin me energji elektrike.