RTSH 24 Live

Politikë

Bashkëpunimi me Berishën, Meta: Gati të zhvillojmë çdo aksion të përbashkët që fuqizon opozitarizmin

20/09/2022

Bashkëpunimi me Berishën, Meta: Gati të zhvillojmë çdo aksion të përbashkët që fuqizon opozitarizmin

Kreu i Partisë së Lirisë (PL), Ilir Meta ka theksuar edhe një herë se partia që ai drejton do të vijojë me bashkëpunimin me Partinë Demokratike, me në krye Sali Berishën.

I ftuar në emisionin “Publikisht” në RTSH, Meta tha se bashkëpunimi dhe koordinimi mes tyre ka filluar që prej 25 korrikut, kur Metës i mbaroi mandati i Presidentit.

Ndonëse nuk përmendi aksione konkrete, Meta theksoi se ata janë të gatshëm për çdo aksion të përbashkët që fuqizon opozitarizmin.

Aksioni do jetë vazhdimisht, skena krimi ku po abuzohet, po vidhet. Përsa i përket bashkëpunimin me Berishën, kemi qenë që pas 25 korrikut në dispozicion të koordinimit. Jemi të gatshëm të zhvillojmë çdo aksion të përbashkët që fuqizon opozitarizmin. Kontakte kam pasur dhe do kem”, tha Meta.

/rtsh.al/