RTSH 24 Live

Kronika

Basha: Rama, në dëshpërim e sipër, kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes së Aleancës për Ndryshim

15/04/2021

Basha: Rama, në dëshpërim e sipër, kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes së Aleancës për Ndryshim

Në fjalën e tij para banorëve të njësisë 4, kreu i PD Lulzim Basha, tha se vendimi për ndryshim, është vendimi më i madh i cili ka kapërcyer kufijtë e përkatësive politike. Kreu i opozitës përsëriti se Rama e ka pranuar humbjen pasi në dëshpërim e sipër kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes së Aleancës për ndryshim.

‘A do ja hapim derën dështimit? Sigurisht që jo! Ju nuk do t’ia hapni derën dështimit dhe ai e di fare mirë, e ka pranuar humbjen, prandaj në dëshpërim e sipër kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes së Aleancës për ndryshim! Sot, i them nga kjo rrugë e mbushur tej e përtej me njerëz që duan ndryshim, Edi Rama koha jote ka mbaruar! Çfarë nuk bëre për 8 vite, nuk e bën dot më dhe për ato për të cilat ke rënduar jetën e mijëra familjeve shqiptare. Për ato që e mbajtën Shqipërinë 8 vite në vendnumëro, ja mbylle derën Europës, është koha të të themi ik! Largohu! Shqipëria ka nevojë për ndryshim, shqiptarët janë të etur për ndryshim dhe nuk ka shqiptar që nuk e di se nuk ka ndryshim pa e larguar Edi Ramën dhe keqqeverisjen tij. Së bashku, në do të fitojmë dhe do të sjellim ndryshimin që do çdo shqiptar dhe kështu Shqipëria do të fitojë. Nuk ka marifet ta ndalë këtë vullnet për bashkim. Ne kemi ardhur para jush me plane konkrete dhe zgjidhje konkrete. Ne i marrim përgjegjësitë tona para jush sot dhe jemi gati t’i marrim me ekipin tonë, me ekipin tonë fitues pas 25 prillit për të hapur rrugën drejtë Europës. Drejtë Europës që është destini ynë, është shpresa jonë, është rruga e Shqipërisë së zhvilluar, e Shqipërisë me ekonomi të fortë, e Shqipërisë me punësim, e Shqipërisë me paga dhe pensione të larta, e Shqipërisë që nuk i përzë bijtë dhe bijat e saj më të mirë por i krijon mundësi për të jetuar me dinjitet këtu, në vendin tonë.’- tha Basha.