RTSH 24 Live

Politikë

Basha përkujton 2 prillin e vitit '91 dhe shpreh bindjen për fitoren e PD në zgjedhjet e 25 prillit

02/04/2021

Basha përkujton 2 prillin e vitit '91 dhe shpreh bindjen për fitoren e PD në zgjedhjet e 25 prillit

Kreu i PD Lulzim Basha ka përkujtuar 2 prillin e vitit 1991, kur 30 vjet më parë në Shkodër u vranë 4 përkrahës të opozitës antikomuniste, pas trazirave që shoqëruan zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, ku opozita e djathtë akuzoi maxhorancën e majtë për manipulim votash. “Si sot 30 vjet më parë, më 2 prill 1991, regjimi gjakatar i Partisë së Punës vrau pa mëshirë dhe qëllimisht 4 djem të rinj, bij të Shkodrës dhe pishtarë të demokracisë.
Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka u qëlluan nga falangat e regjimit që po jepte shpirt, sepse guxuan t’ia thonë në sy dhe publikisht diktaturës në panik se koha e saj kishte përfunduar dhe shqiptarët kishin zgjedhur lirinë dhe Europën.
Ai lumë njerëzish të lirë që vërshoi në rrugët dhe sheshet e Shkodrës dëshmoi se edhe në momentet më të vështira dhe përballë tiranisë më të pashpirt, shqiptarët janë të gatshëm të përqafojnë lirinë me çdo çmim.
Heronjtë e 2 prillit janë heronjtë e gjithë Shqipërisë. Dëshira, guximi dhe përpjekja për ta bërë Shqipërinë një vend të lirë, ngritën themelet e ndërtimit të një shteti demokratik. Përpjekje nga e cila ne nuk kemi hequr dorë asnjëherë dhe për të cilën punojmë çdo ditë.
Kjo ditë i jep një kuptim të veçantë dhe lëvizjes që ne kemi nisur sot.
30 vite më pas, 2 prilli, emrat e 4 martirëve të asaj dite të zymtë kumbojnë fort në ndërgjegjen tonë dhe na japin sigurinë se jemi në rrugën e drejtë dhe në rrugën e fitores mbi të keqen, të ndryshimit që po vjen për çdo shqiptar, në rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa. Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!” shkruan zoti Basha.