RTSH 24 Live

Kronika

Basha nga Peqini, thirrje qytetarëve ti bashkohen PD-së

07/04/2021

Basha nga Peqini, thirrje qytetarëve ti bashkohen PD-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ftoi sot qytetarët e Peqinit të bashkohen me Partinë Demokratike. “Sot kam ardhur t’ju them, 8 vite jua ka ulur kokën Edi Rama me bandat e tij, 8 vite ju ka keqtrajtuar, ju ka fyer, i ka marrë nëpërkëmbë njerëzit që më shumë se çdo gjë tjetër vlerësojnë dinjitetin dhe respektin, njerëzit që duan të punojnë me punën e ndershme në një  zonë kaq të bukur dhe të pasur siç është Peqini ku stresi psikologjik, varfëria  kronike, papunësia i kanë shkatërruar ekonomitë familjare  dhe kanë larguar mijëra të reja dhe rinj në emigracion. E pra, sot kam ardhur t’ju them le të bëhemi edhe njëherë bashkë, dita e ndryshimit po afron. Peqini do ndryshim, Elbasani do ndryshim, Shqipëria do ndryshim.”theksoi zoti Basha.
Lideri demokrat Basha premtoi se pas katër vitesh do të rikthehet për të shijuar bashkë me ta kushtet më të mira të jetës. “Katër vite ardhshme do të jenë vitet e një ndryshimi rrënjësor për Peqinin. Heshtja që ka pllakosur, zbrazëtia e dyqaneve, shpunësimi, dëshpërimi i fermerëve do të marrin fund. Këtu do të kthehem te kulla e sahatit si kryeministri juaj i ardhshëm për të shijuar së bashku punësimin, mirëqenien, rritjen e të ardhurave dhe ndryshimin që do të përfshijë çdo familje të Peqinit, të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë!”premtoi kreu i PD.