RTSH 24 Live

Politikë

Basha nga Lezha: Rama i ka ditët e numëruara në krye të mandatit të vjedhur!

12/05/2021

Basha nga Lezha: Rama i ka ditët e numëruara në krye të mandatit të vjedhur!

Kryetari i PD sërish në opozitë Lulzim Basha tha sot se detyra e Partisë Demokratike nuk ka mbaruar dhe se vala e shpresës për ndryshim nuk mund dhe nuk do të bjerë. "As Edi Rama, as Tom Doshi, as Aqif Rakipi dhe as bandat e Durrësit, të Shijakut e të Krujës, të Fushë-Krujës, të Kurbinit e të Lezhës, të Shkodrës, askush tjetër nuk mund ta marrë peng këtë vend. Ne treguam se pa asnjë pushtet, të bërë njësh me qytetarët mund ta ngrinim valën e ndryshimit. Ata po bëjnë çdo përpjekje të na ulin kokën, të na dëshpërojnë, të na përçajnë. Po bëjnë gjithçka të çoroditin opinion publik për ta shitur vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në histori, si një fitore të tyre dhe si një humbje të Partisë Demokratike dhe të opozitës. Jo, 25 prilli është një humbje për Shqipërinë dhe shqiptarët, një humbje e përkohshme e shansit për ndryshim por çdo ditë, çdo javë e çdo muaj deri në rrëzimin e këtij regjimi beteja do të vazhdojë”,  tha Kryetari i PD-së Lulzim Basha ndërsa ka zhvilluar sot një takim me banorët e Lezhës.
Lideri demokrat Basha vazhdon të shprehë  bindjen se se zgjedhjet e 25 prillit ishin krimi dhe vjedhja më e madhe në historinë zgjedhore në vend. “Sepse përballjen e vërtetë politike që meriton një vend normal, një shoqëri normale, që e meritojnë dhe do ta kenë dhe shqiptarët, ata nuk mund të vinin përveçse një bilanci zero negativë të shpunësimit, të emigracionit, të varfërimit, të rritjes së kostos së jetës, të premtimeve të pambajtura, por përdorën çdo dredhi, çdo marifet, çdo grup kriminal. Ja pra kë kishim përball ne, njësoj si në 91-shin, pa asnjë pushtet, të bërë njësh me qytetarët dhe me interesat e tyre, dhe përballë kundërshtari po kështu njësoj si në 91-shin, me të gjitha pushtetet, madje duke rikthyer në jetë sigurimin famëkeq të shtetit me sistemin e patronazhistëve dhe me krimin në krah. Dhe prapë se prapë, me të gjitha mashtrimet, me të gjitha deformimet, me vjedhjen e votës, me milionat e paguara për të blerë varfërinë e shqiptarëve, me kërcënimet dhe shantazhet për largim nga puna të administratës publike, me të gjitha truket dhe pisllëqet, prapë se prapë diferenca midis nesh është një grusht votash që mblodhi një familje e vetme kriminale, tha zoti  Basha.