RTSH 24 Live

Zgjedhje 2021

Basha në Belsh: Ekonomia e Dumresë, e Elbasanit dhe e gjithë Shqipërisë ka marrë goditje të njëpasnjëshme

07/04/2021

Basha në Belsh: Ekonomia e Dumresë, e Elbasanit dhe e gjithë Shqipërisë ka marrë goditje të njëpasnjëshme

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vizitoi sot qytetin e Belshit. Duke e konsideruar si një perlë e Shqipërisë, Basha tha se banorët, të rinjtë dhe fermerët e Belshit janë të dëshpëruar. Ai bëri thirrje që t’i bashkohen ndryshimit më 25 prill dhe të largojnë të keqen që shkatërroi ekonominë e vendit, nxiti emigracionin, dhe që e la Shqipërinë në vendnumëro.

“Ndihem sikur jam kthyer në shtëpinë time, në Dumrenë e bukur që e dua kaq shumë. Në këtë perlë jo vetëm të Elbasanit, por të të gjithë Shqipërisë. Jo më kot Frashërliu i madh kërkonte ta kishte kryeqytetin e kombit shqiptar. Me shumicën prej jush njihemi prej më shumë se një dekade. Bashkë kemi qenë në ditë të mira kur kemi evidentuar projekte të mëdha të cilat më pas i kemi zhvilluar dhe kanë ndryshuar rrënjësisht, Dumrenë, Belshin, ekonominë tuaj dhe fatet e familjeve dhe fëmijëve tuaj. Bashkë kemi qenë edhe në ditë të vështira, në ditët e errëta të goditjes së njëpasnjëshme të shkelmave që merrte ekonomia e Belshit, e Dumresë, e Elbasanit dhe e gjithë Shqipërisë”, tha Basha.

“Dita duket që në agim e që në vitin e parë mashtrimet e kryeministrit në ikje u ndjenë mbi shpinёn e çdo shqiptari e nё veçanti tё fermerëve tё Dumresë. Nuk i harroj lotët e dëshpërimit tё atij fermeri i cili kishte shpresuar se premtimi pёr çmimin e duhanit do tё bёhej realitet. Nuk e harroj atё çiftin qё kërrusej nё arё pёr tё mbjell fidanët e trangujve dhe qё ishin hidhëruar sepse e dinin qё me gjithё punën qё kapërcente 14 orë nё ditё jo vetёm qё nuk do tё nxirrnin fitim por nuk do tё lanin dot as borxhin pёr kubikët qё do tё shisnin. Nuk e harroj njё pasdite kur erdha nё njё takim me ju me rininë dhe pyeta pёr shumë tё rinj e tё reja, bashkudhëtarë nё fushatat tona tё mëparshme dhe më thanë kanë emigruar”, u shpreh kreu i PD.

“Një pyetje kam për nënat e Dumresë, Elbasanin dhe të gjithë Shqipërisë. A do ta lejoni atë që për 8 vite me radhë vodhi ekonominë dhe të ardhmen e këtij vendi t’jua vjedhë edhe 4 vite të ardhmen e fëmijëve tuaj? A do të lejoni të keqen, dështimin, të keqen që po ju troket në derë? A do ia hapni derën?”, tha Basha.