RTSH 24 Live

Politikë

Bardhi letër Spiropalit: Salianji po arrestohet pa autorizimin e Kuvendit, të mblidhet Këshilli për Mandatet!

3 orë para

Bardhi letër Spiropalit: Salianji po arrestohet pa autorizimin e Kuvendit, të mblidhet Këshilli për Mandatet!

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi ka kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Përmes një letre dërguar kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, Bardhi thotë se deputeti demokrat Ervin Salianji po arrestohet në mënyrë të paligjshme duke shkelur ligjin, pa u marr autorizimi nga Kuvendit.

Duke cituar ligjin se një deputet nuk mund të arrestohet dhe t’i kontrollohet banesa pa autorizimin e  Kuvendit, Bardhi akuzon gjykatën dhe prokurorinë se po zbatojnë një “procedurë ekstra ligjore” duke cenuar demokracinë dhe goditur opozitën.

Vendimi i Gjykatës së Apelit për të lënë në fuqi dënimin me 1 vit burg për deputetin Ervin Salianji, për Bardhin është një hakmarrje politike, ndërsa shton se dënimi i tij ka qenë pa prova.

“Me një akt hakmarrës politik,  Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me vendim të datës 26 Shtator 2024, ka urdhëruar burgosjen e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, një zyrtari të opozitës, kolegut Ervin Salianji, për një krim të pakryer dhe për një çështje të fabrikuar nga segmente të caktuara të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Ky akt politik dhe që cenon themelet e shtetit demokratik, prek integritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe cenon mandatin e një deputeti të opozitës.

Po në një procedurë ekstra ligjore, pa autorizim të Kuvendit, me një nxitim të pa shpjegueshëm, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e deputetit të opozitës. Sipas nenit 73, pika 2, “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa AUTORIZIMIN e Kuvendit”. Këto veprime të organeve të drejtësisë, që cenojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës. Dënimi pa ligj e prova i deputetëve të opozitës, duke shpërfillur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mos arsyetuar masat represive ndaj deputetëve të opozitës, është akt i paprecedentë në një shtet demokratik.

Për këtë arsye, në përputhje me nenin 73, pika 2 e Kushtetutës, dhe nenit 13 të Rregullores, kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë”, thuhet në letrën e Bardhit.

Më 26 shtator trupa gjykuese e Gjykatës së Apelit e përbërë nga Elona Toro, Genti Shala dhe Iliba Bezati vendosën në mënyrë unanime të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës të 18 dhjetorit 2019, ku kishte dënuar me një vit burg deputetin Ervin Salianji.

Salianji akuzohet për “kallëzim të rremë” për inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës në atë që njihet si çështja “Babale”.

/rtsh.al/