RTSH 24 Live

Ekonomi

Banka e Shqipërisë: Ekonomia do të vijojë rritjen gjatë 2022

11/05/2022

Banka e Shqipërisë: Ekonomia do të vijojë rritjen gjatë 2022

Në Komisionin te Ekonomisë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se ekonomia  ka shënuar rimëkëmbje gjatë vitit 2021. Guvernatori theksoi se qeveria duhet të ketë kujdes me nivelin e borxhit ndërkohë që edhe individët që investojnë në kriptovalutë duhet të jenë të kujdesshëm nga rreziqet.

“Rimëkëmbja gjatë vitit 2021 e aktivitetit ekonomik ishte e shpejtë, duke tejkaluar pritjet tona fillestare, punësimi dhe pagat shënuan rritje, bilancet financiare të sektorit privat u përmirësuan, ndërsa ekuilibrat ekonomikë dhe financiarë të vendit mbetën të shëndosha. Rimëkëmbja ishte me bazë të gjerë. Ajo pasqyroi rritjen e konsumit dhe të investimeve private, zgjerimin e eksporteve të mallrave e të shërbimeve, si dhe kontributin pozitiv të stimulit fiskal. Në terma sektorialë, ajo pasqyroi zgjerimin e të gjithë sektorëve të ekonomisë. Rimëkëmbja u shoqërua me rritje të punësimit dhe të pagave, duke përmirësuar bilancet financiare të familjeve. Rritja e punësimit mundësoi rënien e shkallës së papunësisë në 11.4% në fund të vitit, duke qëndruar pranë niveleve të parakrizës. Në reflektim të tyre, pagat njohën ritme të larta rritjeje, në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë”, tha Sejko.

/rtsh.al/