RTSH 24 Live

Ekonomi

Banka Botërore: Ekonomia e Shqipërisë këtë vit do të rritet me 3.8%

11/01/2022

Banka Botërore: Ekonomia e Shqipërisë këtë vit do të rritet me 3.8%

Pas një rritje të shpejtë në vitin e kaluar, ekonomia e vendit pritet të ketë një rritje më të ngadaltë gjatë këtij viti. Banka Botërore, në raportin e fundit për Perspektivat Ekonomike Globale, parashikon që rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë 3.8%, nga 7.2%, që janë pritshmëritë për vitin që lamë pas. Sipas raportit, rritja ekonomike për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të nxitet më tej nga reformat që do të ndërmerren për anëtarësimin në BE.

“Në Ballkanin Perëndimor, rritja parashikohet të e moderuar në 4.1% 2022 dhe 3.8% në vitin 2023. Rimëkëmbja pritet të humbasë vrullin ndërsa besimi është dëmtuar nga pasiguria në rritje e politikave, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë. Rritja afatmesme në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, do të nxitet duke përshpejtuar reformat strukturore në përgatitje për anëtarësimin në BE”, thuhet në raportin e Bankës Botërore. 

Sipas raportit, rritja në afatin e mesëm e Shqipërisë, dhe Maqedonisë së Veriut mund të nxitet nga përshpejtimi i reformave strukturore në kuadër të përgatitjeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh që ky proces nuk shtyhet më tej. Rreziqet e ekonomive që listohen në raportin e Bankës Botërore kanë të bëjnë me variantin Omicron, me rritjen e çmimeve, me uljen e prodhimit global, rritje të pabarazive apo thellim të mëtejshëm të varfërisë.

“Rreziqe të ndryshme negative po turbullojnë perspektivën, duke përfshirë ndërprerjet ekonomike të njëkohshme të drejtuara nga Omicron, pengesat e mëtejshme të ofertës, rritje inflacionit”, thuhet ndër të tjera në raport.