RTSH 24 Live

Aktualitet

Balluku: Ndjekje penale për grevistët që kanë cënuar sigurinë ajrore të vendit!

07/04/2021

Balluku: Ndjekje penale për grevistët që kanë cënuar sigurinë ajrore të vendit!

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku ka njoftuar se ka kërkuar ndjekje penale ndaj kontrollorëve që kanë ndërmarrë grevën duke bllokuar trafikun ajror, duke e quajtur cënim i sigurisë kombëtare. Sipas saj do të jetë prokuroria e cila do të vendosi mbi shkallën e shkeljes ligjore të kontrollorëve.
Zonja Balluku ka hedhur sot me shumë dritë rreth kësaj çështjeje. Sipas saj kontrollorët kanë përveç pagave të larta deri në 4 mijë e 400 dollarë edhe privilegje të tjera, si fakti që punojnë vetëm 17 ditë në muaj, apo 205 ditë në vit. "A mundet shteti të kompensojë kontrollorët kur nuk ka pasur kurrë involvim financiar? A mundet shteti të kapet peng nga një grup njerëzish që të kërkojnë të marrin 15 rroga sa ç’merr një shqiptar? 4 mijë e 400 dollarë, për një person, do të ishin njësoj sa 14 shqiptarë. Dikush mbrëmë gjatë negociatave kishte thënë, po edhe ne 60 jemi ne nuk u bë nami! Jo, ju doni sa 600 shqiptarë. A mendon Meta se duhet të bllokohet trafiku ajror, e mos vijnë vaksina, e mos lëvizë askush, as ata për të ikur, as ata për t’u larguar. As të sëmurët. A duhet vallë vendi të kapet peng. Ky është grusht shteti, nga disa persona që janë të pakënaqur me pagën 2 mijë e 490 dollarë. Dhe nëse nuk ja bëjnë 4 mijë e 400 dollarë mbajnë vendin peng. Sot në Rinas nuk vijnë vaksina!" tha sot Ministrja Balluku gjatë një takimi në Rinas.
"Nuk erdha në Rinas për të dëgjuar kërkesën që nuk bëhet fjalë ose të iki dhe të bjerë vendimi i këshillit mbikqyrës e na jepni paratë. Erdha për t’i sqaruar se nuk është një lojë. Sot preket çdo qytetar i Shqipërisë, siguria kombëtare, dhe e drejta për lëvizjen e lirë të çdo qytetari. Nuk është lojë. Do na duhet të marrim disa mase të rëndësishme ligjore, nuk do jenë të mira për askënd, por s’do jenë të mira as për navigimin ajror. Është sektor shumë i rëndësishëm, janë investuar ndër vite shumë në burimet njerëzore. Të gjithë ata kontrollorë janë të trajnuar në akademitë më të mira, për të pasur certifikatën e duhur. Pra përveç pagave, gjithashtu kontrollorët 205 ditë në vit paguajnë. 17 ditë në muaj. Privilegjet i kanë në respekt të kësaj pune që kanë" tha Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku.