RTSH 24 Live

Ekonomi

Balluku: Jepet me koncension Triporti i Vlorës! Nga 61 në 15 ujësjellësa qendror!

11/05/2022

Balluku: Jepet me koncension Triporti i Vlorës! Nga 61 në 15 ujësjellësa qendror!

Në mbledhjen e Qeverisë të kësaj të mërkure u vendos që Triporti i Vlorës të jepet me koncension me partneritetin publik privat. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se Triporti do të jetë një port i integruar që në të ardhmen do të ketë të gjitha shërbimet komerciale dhe jo vetëm shërbimin e peshkimit.

Një projektvendim tjetër shumë i rëndësishëm i cili u aprovua sot është miratimi i kontratës së koncesionit me partneritet publik-privat për projektin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e portit të integruar në triportin Vlorë. Ky është një projekt që ne e kemi padyshim thënë prej kohësh, edhe në parlamentin shqiptar, por edhe në takimet që kemi pasur në zonën e Vlorës. Triporti do të jetë porti më i ri modern i ndërtuar në zonën e Vlorës, i cili do të jetë një port i integruar, ku sot ka vetëm shërbimet e peshkimit, por në të ardhmen do të ketë të gjitha shërbimet komerciale, bazuar në kalatat e reja që do të ndërtohen atje, sigurisht duke akomoduar edhe pjesën e peshkimit, por mbi të gjitha edhe mirëmbajtjen e anijeve, një pjesë e munguar deri më sot, që shpesh peshkatarët apo edhe subjekte të tjera duhet t’i drejtoheshin Italisë për ta bërë këtë gjë, tha Balluku.

Një tjetër vendim i marrë nga Qeveria i njoftuar nga ministrja Balluku është edhe miratimi i vendimit të AKUM për të nisur një agregim të Ujësjellësave, nga 61 në 15 qendrorë të cilët do të mirëmenaxhojnë financat dhe burimet natyrore që kanë nën mbikëqyrjen e tyre.

Prej kohësh kemi nisur, 1 vit më parë, një strategji të re për të krijuar një reformë të thellë në sistemin e ujësjellësve. Siç ju jeni në dijeni ujësjellësat përveç faktit që ka pasur një investim të rëndësishëm në të gjithë territorin shqiptar dhe disa prej tyre kanë arritur sot të performojnë sipas kërkesave dhe të gjithë treguesve që duhet të përmbushin. Nga ana tjetër padyshim ne nuk kemi qenë të kënaqur me performancën dhe menaxhimin që është bërë nga pushteti vendor. Për këtë arsye pas një analize shumë të gjatë AKUM ka bërë një propozim pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të nisur një agregim të sistemit të ujësjellësve. Nga 61 ujësjellsa që ndodhen në 61 bashkitë të kalojmë me 15 ujësjellësa qendror të cilët do të mirëmenaxhojnë financat, do të mirëmenaxhojnë të gjitha burimet natyrore të cilat kanë nën mbikëqyrjen e tyre”, tha Balluku

Gjithashtu po në mbledhjen e qeverisë, u miratua edhe shtimi i huasë për segmentin rrugor Qukës –Qafë-Plloçë. 56 milionë e 800 mijë dollarë do të vendosen menjëherë në dispozicion të këtij projekti për të nisur menjëherë me 5 ura, 2 në segmentin 1 dhe 3 në segmentin 2, si dhe mbrojtjen dhe stabilizimin e skarpateve.

Një tjetër projektvendim shumë i rëndësishëm i cili është ndërmarrë sot është shtimi i huasë për segmentin Qukës - Qafë Plloçë me 56 milionë e 800 mijë dollarë të cilat do të vendosen menjëherë në dispozicion të këtij projekti për të nisur menjëherë me 5 ura, 2 në segmentin 1 dhe 3 në segmentin 2, si dhe mbrojtjen dhe stabilizimin e skarpateve, rrugët e aksesit që janë shumë të rëndësishme dhe barrierat e sigurisë. Gjithashtu bëhet fjalë që këtij projekti ti shtohet edhe komplementimi i tuneleve me pajisjet elektromekanike përfshirë gjithë sistemet dhe sinjalistikën elektronike që 5 urat dhe tunelet që do të ndërtohen, do të kenë nevojë ashtu siç e kërkon dhe siguria rrugore sipas parametrave të Bashkimit Europian” tha Balluku.

/rtsh.al/