RTSH 24 Live

Politikë

Balluku: Hapim së shpejti garën ndërkombëtare për ndërtimin e portit të Porto Romanos

15/06/2024

Balluku: Hapim së shpejti garën ndërkombëtare për ndërtimin e portit të Porto Romanos

Për ndërtimin e  portit të ri në Porto Romano do të ketë garë ndërkombëtare. Kështu deklaroi sot  Zëvendëskryeministrja njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në eventin “MARITIME ËEEK 2024", 

Në eventin dedikuar zhvillimit të mëtejshëm të sektorit, përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave, Balluka u shpreh se, “vetëm pas pak javësh do të ketë hapjen e një gare ndërkombëtare për ndërtimin e porti të ri në zonën e Porto Romanos, pak milje larg nga këtu ku jemi, i cili do të jetë port i të gjithë shqiptarëve dhe i të gjithë ballkanasve perëndimorë, pasi parashikon që ti ofrojë shërbime me dy porte të thata, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, përveçse Shqipërisë”.

Si mikpritës që jemi dhe si dashamirës të rajonit, shkroi Balluku, do ti kemi dyert të hapura edhe për Bosnje Hercegovinën, edhe për Serbinë, madje edhe për Malin e Zi, se ndoshta disa prej zonave përqark i vjen më lehtë të vijnë në një port modern si ai i Durrësit, padashur që të them asgjë të keqe për portin e Barit.”

“Shpeshherë për ne është e vështirë që të arrijmë 2% që kërkohet nga një vend anëtar i NATO-s, por ama Zoti është treguar bujar me ne dhe na ka dhënë një pozicion gjeopolitik që dhe kur nuk e arrijmë atë 2%, na falet nganjëherë, pasi përveçse jemi besnik të aleatëve tanë, nga ana tjetër jemi të rëndësishëm gjeopolitikisht. Jemi ata që mbajnë portën e madhe të Korridorit të VIII. Korridori i VIII që lidh Italinë Europiane me Shqipërinë, me Maqedoninë e Veriut, dy vende të cilat aspirojnë të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian dhe me Bullgarinë, një tjetër anëtar i Bashkimit Europian.

“5 vite sa për 50 vjet, sepse gjithçka fillon nga kuptimi, nga vlerësimi i një sektori, i një programi apo i një projekti. Ajo çka kemi bërë ne në këto 5 vite është që kemi kuptuar, kemi analizuar dhe më pas kemi projektuar zhvillimin e një nga sektorëve më të rëndësishëm në Republikën e Shqipërisë, në qoftë se ne duam të jemi një vend i Bashkimit Europian.”

Në mbështetje vjen dhe strategjia kombëtare për rivitalizimin e rrjetit hekurudhor shqiptar.

“Duke e nisur pikërisht nga Durrësi, me hekurudhën e parë e cila lidh Tiranën, aeroportin e Rinasit dhe portin ndërkombëtar të Durrësit. Për të vazhduar pastaj me Korridorin e VIII, për tu lidhur nga Durrësi me Rrogozhinën dhe më pas me Pogradecin dhe dalje në dy pikat kufitare, atë të Maqedonisë së Veriut dhe atë të Greqisë dhe për të vazhduar më tej në një hekurudhë që do të nisë nga Durrësi dhe do ti drejtohet trojeve të tjera të shqiptarisë, Kosovës.”

Për të përparuar më shpejt zëvendëskryeministrja vuri theksin tek bashkëpunimi rajonal dhe bashkërendimi i projekteve mes shteteve.

“Unë mendoj është që bashkëpunimi rajonal na bën më të fortë, sepse është ndryshe të konsiderosh një treg me 2 millionë, 3 millionë, 5 milionë fuqiblerëse dhe është komplet ndryshe që të shesësh produkte të një tregu apo të blesh produkte për një treg 17 milionë, sa është Ballkani Perëndimor. Kështu që bashkëpunimi rajonal, bashkërendimi i projekteve, programeve dhe padyshim vullneti politik i qeverive të rajonit tonë, të shumëvuajtur, që aspiron një herë e mirë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian, pasi natyrshëm jemi pjesë e këtij bashkimi është ajo çka na frymëzon për të bërë punë tonë ashtu siç duhet”.

 

 

/rtsh.al/