RTSH 24 Live

Politikë

Balluku: Anulimin e kredisë së BE e kam kërkuar unë, nuk bënte më sens ekonomik

24/11/2022

Balluku: Anulimin e kredisë së BE e kam kërkuar unë, nuk bënte më sens ekonomik

Ministrja e Energjisë dhe njëherazi zv/kryeministrja, Belinda Balluku, ka sqaruar anulimin e grantit të Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor për portin e Durrësit me vlerë 28 milionë euro. Nga foltorja e Kuvendit, Balluku tha se ka qenë ajo vetë që ka kërkuar anulimin e kredisë që në vitin 2019.

Sipas Ballukut, kredia prej 28 mln eurosh, e kërkuar 12 vite më pare, ishte për të futur në port më shumë qymyr, çimento dhe grurë dhe nuk kishte me sens ekonomik. Ministrja theksoi se ka strategji të reja për Durrësin.

Pse nuk u mor kredia e BE? Kam kërkuar unë anulimin e saj me shkresë në vitin 2019 kur nuk flitet fare për projektin e Muhammed Alabbar, pasi 28 mln euro kërkoheshin të merreshin kredi nga BE për të rritur kapacitetet për të futur në port më shumë qymyr, çimento dhe grurë. Kërkova anulimin sepse nuk bënte më asnjë sens ekonomik. U ulëm me BE në tryezë dhe diskutuam sepse planifikimi i projektit ishte bërë para 12 vitesh. Si mund të merrnin kredi që ishte menduar 12 vite më parë si të forcoheshin kalatat 1 dhe 2, kur Durrësi tani është shndërruar. Shqipëria të merrte një kredi për të shtuar volumet e çimentos dhe qymyrit në Portin e Durrësit? Ka strategji të reja për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë”, tha Balluku.

Ndalur te Porti i ri i Durrësit, Ministrja u shpreh se do të jetë modern, teksa hodhi poshtë deklarata e opozitës se ndërtimi i tij do të kushtojë 2 mld euro. Sipas Ballukut, Porti i ri do të kushtojë 390 mln euro.

Do ta nis nga tymnja që ‘Durrësi dhe Shqipëria do të ngelë pa port’. Nuk do të ndodhë. Ne kemi kryer një studim dhe rezultoi që në vitin 2020 ishte që Portit i ka ardhur koha të largohet për shkak të mungesës për të akomoduar volumet në të ardhmen, për shkak të ndotjes ambientale serioze që i bën qytetit të Durrësit dhe e treta i gjithë problemi infrastrukturor që ky port sjell në qytet. Duke patur parasysh këtë situatë na është dashur të nisim një garë ndërkombëtare. Morën pjesë shumë kompani të huaja, por vetëm 5 u kualifikuan. Porto Romano është një projekt që do t’i shërbejë Ballkanit Perëndimor që nuk ka lidhje me portin e jahteve. Mos mohoni faktin që këtu do ndërtohet një port modern. Fakt që porti i ri do kushtojë 2 mld euro, mos iu referoni shifrave të Berishës, nuk ekziston ky lloj kuotimi për ndërtimin e portit të ri. Kushton 390 mln euro dhe do bëhet se nuk ka më mundësi akomoduese porti i Durrësit”, u shpreh ajo.

Zv/kryeministrja pati edhe një paralajmërim në lidhje me një reformim të Drejtorisë së parandalimit të pastrimit të parave që, sipas saj do të ketë një efekt të “jashtëzakonshëm” që mund të prekë edhe opozitën.  

Ka nisur një punë për një reformim të drejtorisë së parandalimit të pastrimit të parave, një reformim të thellë që do ketë efekt të jashtëzakonshëm që kam frikë se juve nuk do ju pëlqejë”, theksoi Balluku.

/rtsh.al/