Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka lajmëruar se procesi i vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit do të vazhdojë. Në një status në rrjetin e tij social Facebook, zoti Balla ka bërë të ditur se një tjetër punonjës policie është arrestuar për shkelje të rëndë.
“Ndërsa vijon me intensitet procesi i vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit, një tjetër punonjës policie është arrestuar në Policinë Kufitare të Durrësit, për një shkelje të rëndë" shkruan zoti Balla. Ministri nënvizon se "të gjitha institucionet të kenë një angazhim dhe bashkëpunim të madh. Forcimi i bashkëpunimit me SPAK, prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, SHISH dhe agjenci të tjera ligjzbatuese në procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit është i domosdoshëm. Hetimet për punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare, lidhje/komunikime me krimin si dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm, do të na mundësojnë pastrimin e duhur dhe kthimin e besimit të plotë të qytetarëve tek Policia e Shtetit”, ka shkruar ministri Balla.
/rtsh.al/