RTSH 24 Live

Lifestyle

Balkan Natural Adventure sjell turistë ndërkombëtarë në Kosovë, panvarësisht pandemisë

02/03/2021

Balkan Natural Adventure sjell turistë ndërkombëtarë në Kosovë, panvarësisht pandemisë

Balkan Natural Adventure ka pasur një sezon të mirë të dimrit duke pasur parasysh se bota është në kohë pandemie dhe në Kosovë nuk ka as agjenci shtetërore për promovimin e turizmit dhe në pika turistike nuk menaxhohet as mbledhja e bërllokut. Pas angazhimit në marketing ndërkombëtarë Balkan Natural Adventure (BNA) ka arritur që të sjellë në Kosovë gjashtë grupe të turistëve polakë nga janari deri në mars duke bashkëpunuar me kompaninë Skitouring School të profesorit polak të marketingut për outdoor Mateusz Mroz. Kompania ka kontrata edhe me kompani zvicerane dhe franceze të cilat i kanë anuluar vizitat në Kosovë për shkak të pandemisë. BNA ka punuar me hotelin Krojet në Prevallë të cilët kanë treguar fleksibilitet dhe mikpritje për klientët polakë. Gjithashtu pjesë e mikpritjes ka qenë puna e palodhshme e guidës kryesor të kompanisë Deni Hameli dhe guidave të tjera Nedi Limani, Bardhosh Morina dhe Fis Nimani. “Ka shumë punë për tu bërë duhet të menagjohet bërllogu, duhet të përmirësohet mirëmbajtja e rugëve, shërbimi i teleferikëve në Brezovicë dhe shumë gjëra të tjera”, ka thënë shefi i operacioneve të Balkan Natural Adventure Nol Krasniqi. “Ne mund të biem copa me promovim dhe tërheqje të turistëve dhe investitorëve por infrastruktura bazë si pastrimi i rrugëve nuk mund të bëhet nga sektori privat”, ka thënë ai duke shtuar se “në Brezovicë duhet të investohet shumë edhe në trajnimin e stafit për marrëdhënie me klientë”. Nga ana e tij, Mosz ka thënë se pas vitit të parë ai ka përshtypje të mirë. “Natyrisht se do të vijë sërish”, ka thënë ai. “Kosova ka një potencial të mrekullueshëm të bjeshkëve. Kompania jonë Skitour School bën kampe të skijimit në tërë Evropën dhe definitivisht Kosova ka disa nga vendet më të mira për ski tour dhe free ride. Pistat janë afër fshatrave dhe mund të bësh një turë dhe të kthehesh për një darkë të ngrohtë dhe akomodim të këndshëm”. “Në përgjithësi ushqimi është i mirë dhe njerëzit mikpritës. Pistat nuk janë të mbingarkuara. Mirëpo qeveria duhet të investojë në këtë diamant të pagdhendur. Investimet duhet të shkojnë së pari në rrugë, parking dhe trajnim të ofruesve të shërbimeve dhe marketing“, ka shtuar ai. Sa i përket sigurisë Mosz ka thënë “se për ekipin kërkim shpëtim duhet të sigurohet një helikopter në mënyrë që të mundësohet eksplorimi i tërë bjeshkëve”. Balkan Natural Adventure është një kompani nga Peja, e cila është marrë me zhvillimin e turizmit në Bjeshkët e Nemuna. Kompania ka zgjeruar shërbimet e veta duke përfshirë edhe dimrin.