RTSH 24 Live

Ekonomi

Avancon puna për ndërtimin e HEC-it të Skavicës

28/09/2022

Avancon puna për ndërtimin e HEC-it të Skavicës

Puna për ndërtimin e HEC Skavicës po avancon, njoftoi zëvendëskryeministrja dhe ministrja e infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku në rrjetet sociale. 

Njoftimi erdhi pas një takimi me përfaqësues të kompanisë amerikane Bechtel, të cilët  prezantuan progres raportin mbi projektin më të rëndësishëm të Qeverisë Shqiptare në sektorin energjetik. 

Sipas zonjës Balluku bëhet fjalë për një punë serioze e voluminoze me detaje mbi aspektet teknike, financiare dhe impaktin mjedisor mbi të cilin do të përcaktohet edhe varianti më fizibël për ndërtimin e këtij HEC-i. 

Skavica është një nga investimet më strategjike me përfitime të drejtpërdrejta në sektorin energjetik shqiptar, por edhe për punësimin, turizmin dhe zhvillimin e ekonomisë së Shqipërisë në tërësi.

Hidrocentrali i Skavicës do të jetë i vendosur në rrjedhën e sipërme të HEC-eve ekzistuese të kaskadës së lumit Drin dhe do të ketë ndikim në operimin e të gjithë kaskadës. 

Hidrocentrali, që do ta kthente vendin në një lider rajonal në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë, vlerësohet të kushtojë midis 308 deri në 510 milionë euro, në varësi të lartësisë së digës.

Projekti i Hidrocentralit të Skavicës do të jetë një investim publik. Ai mendohet ta shlyejë vlerën e investimit brenda dekadës së parë pas vënies në funksionim. 

/rtsh.al/