RTSH 24 Live

Kosova

Austri, aksidentohet autobuzi me pasagjerë nga Kosova, 20 të plagosur

19/05/2022

Austri, aksidentohet autobuzi me pasagjerë nga Kosova, 20 të plagosur
Pamje nga aksidenti

Një autobus me pasagjerë nga Kosova ka pësuar aksident orët e para të mëngjesit në Salzburg të Austrisë, raporton APA.

Sipas informacioneve fillestare rreth 20 pasagjerë janë lënduar ndërsa nuk raportohet ende për viktima.

Aksidenti ndodhi rreth orës 03:00 në rrugën Salzburg-Nord në zonën e Eugendorf im Flachgau ku autobuzi po shkonte në drejtim të Vjenës.

Zëdhënësi i policisë Hans Wolfgruber deklaroi se: “Në automjet ishin rreth 25 persona. Këta janë turistë që padyshim vijnë nga Kosova” tha ai.

Komandanti i shpëtimit të qarkut Hermann Gerstgraser sqaroi se "Tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë dhe 16 të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta. Të gjithë u dërguan në spitalin e aksidenteve dhe spitalin shtetëror në Salzburg me ambulanca. Tetë persona që mbetën të padëmtuar aktualisht po kujdesen nga ekipi i ndërhyrjes në krizë në selinë tonë në qytet," tha Gerstgraser.

Ende nuk dihet arsyeja pse ka ndodhur aksidenti.

/rtsh.al/