RTSH 24 Live

Kronika

Atentati Vlorë/ Autorët të maskuar me kapuçë, qëlluan nga automjeti me xhama të zinj

19/08/2022

Atentati Vlorë/ Autorët të maskuar me kapuçë, qëlluan nga automjeti me xhama të zinj

Thuajse 24 orë pas atentatit të ndodhur tek mbikalimi i Panajasë, ku mbeti i vrarë Geno Shpati Lena 37-vjeç dhe Hakim Xhezo 34-vjeç, policia ende nuk ka mundur që të zbardhë autorët e këtij atentati.

15 persona janë shoqëruar në komisariatin e Vlorës për tu pyetur për ngjarjen, mes të cilëve miq, familjarë të viktimave dhe dëshmitarë okularë, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Dyshimet e Policisë, flasin se atentati ishte i mirëmenduar, vrasësit dyshohet se janë profesionistë dhe me pagesë ndërsa pista kryesore e hetimit mbetet hakmarrja si dhe prishja e pazareve të drogës.

Në makinën e djegur BMË, u gjetën 3 armë kallashnikovi teksa një prej tyre nuk është përdorur për ngjarjen.

Rezulton se në momentin e sulmit nuk ka pasur persona apo automjete aty pranë, sulmi ka zgjatur më pak se dy minuta me autorët qe brenda kësaj kohë janë larguar.

Policia e Vlorës u lajmërua nga një qytetar, ku i është thënë se një automjet ka dal nga rruga dhe ka përfunduar në kanal, por verifikimet në vendin e ngjarjes treguan të kundërtën.

Në zonën ku ndodhi atentati, mungojnë kamerat e sigurisë, çka e bënë të vështirë identifikimin e autorëve. Në momentin e sulmit ata kanë qenë të maskuar teksa automjeti i llojit BMË dyshohet të ketë pasur xhama të zinj.

Dëshmitarët okularë në vendngjarje, të cilët kanë parë largimin e autorëve, tregojnë, se kanë qenë tre persona të përfshirë në sulm: Shoferi, pasagjeri në vendin e parë të automjetit BMË, që ka goditur, dhe pasagjeri i pasëm, i cili ka qenë personi i dytë që ka shtënë me armën e llojit kallashnikov.

Rezulton, se Shpati Lena dhe Hakim Xhezo kanë qenë duke shkuar në drejtim të burgut të Lushnjes, ku do ti çonin rroba dhe ushqime vëllait të Hakim Xhezos, Eduart Xhezos i cili ndodhet në burg, i dënuar me 15 vite për vrasje.

Ende pa u konfirmuar është fakti, se në makinën e viktimave mund të jetë gjendur edhe armë por policia mbetet e rezervuar në dhënien e detajeve .

Shpati Lena prej kohësh i druhej një atentati teksa në qytet lëvizte shpesh me makinë të blinduar dhe armë. Shpati Lena së bashku me Eduart Xhezon, vellain e Hakim Xhezos dhe Ariel Kingjin, kunati e Xhezos, në gusht të 2019 kanë qenë pjesë e një konflikti me armë, ku ka mbetur i vdekur Arben Beqiraj i njohur si Beni i Ceces dhe i plagosur djali i tij, Ergest Beqiraj.

Ky konflikt i 2019 mbetet një nga pistat e hetimit në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje në mbikalimin e Panajasë.

Nuk përjashtohet në hetime as pista e prishjes së pazareve të drogës duke qenë se Lena prej vitesh ishte pjesë e trafikut të lëndës narkotike.

/rtsh/