RTSH 24 Live

Aktualitet

Atentati në Don Bosko/ Lihet në burg Nikoll Sherrniku, gjeti targat për automjetin e autorëve

09/06/2023

Atentati në Don Bosko/ Lihet në burg Nikoll Sherrniku, gjeti targat për automjetin e autorëve

Gjykata la në burg të premten (9 maj) Nikoll Sherrnikun, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në atentatin e Don Bosko-s ndonëse përpara trupit gjykues ai ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.

Sherrniku akuzohet si personi që siguroi automjetet e autorëve që kryen sulmin në lokalin e Fatjon Muratit, ku lanë të vdekur punonjësën 58- vjeçaren, Mimoza Paja.

28-vjeçari ishte shok i ngushtë i Brilant Martinajt, nipit të Ervis Martinajt i cili u ekzekutua në 17 korrik të vitit të shkuar.

Në gusht të vitit të kaluar ai u kap brenda një automjeti të blinduar me municion luftarak, të cilin dyshohet se do ta përdorte për të kryer një atentat.

Policia i sekuestroi një automatik me fishekë në fole gati për qitje, dy krehëra me fishekë, 2 radio marrëse-dhënëse si të Policisë, si dhe automjetin e blinduar.

Në të njëjtën ditë kur u arrestua ditën, Nikoll Sherrniku kishte thyer dhe masën “arrest shtëpie” pasi akuzohej për një tjetër ngjarje.

Ai ndodhej nën atë masë në lidhje me implikimin e tij në ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2021, ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-punonjësi i Policisë, shtetasi Xhulio Prela.

Gazetare: Flutura Tota

/RTSH/