RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Atentati me dy të vdekur në Elbasan, hetimet përqendrohen te larja e hesapeve për konflikte droge

05/10/2021

Atentati me dy të vdekur në Elbasan, hetimet përqendrohen te larja e hesapeve për konflikte droge

Shkoi në dy bilanci i viktimave të atentatit të së hënës në qytetin e Elbasanit, pasi mëngjesin e kësaj të marte ndërroi jetë në spitalin e Traumës, Ardian Çollaku, i cili mbeti i plagosur rëndë nga plumbat e derdhur në drejtim të tij.

Që nga nisja e hetimeve e deri më tani, ekspertët e Policisë por edhe Prokurorisë hetimet i kanë shtrirë në disa pista, por më kryesorja është ajo e larjes së hesapeve për konflikte që kanë të bëjnë me trafikimin e drogërave të forta.

Në atentatin e pasdites së të hënës, i cili u regjistrua në Bradashesh, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i luleve”, pranë një karburanti, viktimë mbeti Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku, i cili ndërroi jetë në spital.

Gjithë dinamika e ngjarjes ndodhi teksa dy individët po lëviznin në këmbë, në momentin që u qëlluan me breshëri kallashnikovi nga një automjet në lëvizje, i cili rezulton se ishte tip 'Volvo' e që u gjend i djegur disa minuta më pas në fshatin Balldre. 

Ekspertët e policisë pritet të ndihmohen për zbardhjen e ngjarjes nga kamerat e sigurisë së karburantit ndërsa i gjithë qyteti po mbikëqyret nga forcat RENEA, FNSH dhe Departamenti i Policisë Kriminale me qëllim zbardhjen e ngjarjes por edhe evitimin e një përplasje tjetër të mundshme mes grupeve kriminale të përfshira. 

Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku rezultojnë te jenë persona me precedentë të mëparshëm penal, ku Çollaku, i njohur edhe si Ardian Subashi, u hetua si i lidhur me vrasjen e Everest Çakës, në maj të këtij viti ndërsa në vitin 2015 ai ishte arrestuar pas një dënimi në Itali.

Lulzim Bitri është mik i ngushtë i Talo Çelës,që është shpallur në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj në Durrës,  por në vitin 2018 është arrestuar në Tetovë për një vrasje, e cila dyshohet se kishte ndodhur për shkak të përplasjes së disa grupeve kriminale.

Përplasja mes grupeve kriminale, të cilat dyshohet se e shtrijnë aktivitetin e prodhimit dhe tregqëtimit të drogërave të forta në disa vende, e që dyshohet po ashtu se drejtohet nga një shqiptar që jeton në Dubai, mendohet se ka shkaktuar, deri tani, mbi 10 viktima.