RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Atentat në qendër të Lushnjës, 1 i vdekur, 5 të plagosur

24/08/2021

Atentat në qendër të Lushnjës, 1 i vdekur, 5 të plagosur

1 i vdekur e 5 të plagosur është bilanci i një atentati të shënuar në orët e vona të së hënës, në mes të qytetit të Lushnjes.
Plumbat e kallashnikovit u derdhën në drejtim të një lokali, i cili ndodhet në Pedonalen e qytetit. Fokus i atentatit ishte pronari i lokalit Bledar Muço 40-vjeç, i cili ka mbetur i vrarë.
Sipas dëshmitareve në vendngjarje, një mjet i bardhë tip “Golf 5”, në të cilin ndodheshin dy persona të maskuar, u afruan pranë tavolinës ku pinte kafenë viktima Bledar Muço dhe kunati i tij, Judmir Velo. 
Njëri prej tyre nxori armën nga dritarja e automjetit dhe gjuajti në drejtim të shënjestrës, duke e lënë të vdekur në vend. 
Viktima ishte ulur si çdo natë në tavolinën e vendosur  buzë rrugës së automjeteve, çka i ka lehtësuar punën autorëve të atentatit për kryerjen e vrasjes.
Pesë të plagosurit janë: Judin Velo, 32-vjeç, Ervis Tafa dhe Sara Liçi, 24-vjeç, të cilët ndodhen në terapi intensive, ndërsa dy të plagosurit e tjerë Eksara Sauli, 26-vjeç dhe Majlinda Gjyli 66-vjeçe, ndodhen jashtë rreziku për jetën.
Në momentin e atentatit, zona ishte e populluar nga klientët dhe plumbat e dala nga arma e kallashnikovit prej shkrepjes së autorit kane prekur një territor të gjerë në rreth 100 metra katror. 
Pas atentatit autorët u larguan drejt fshatit Thanasaj dhe poshtë urës së trenit të Rrogozhinës, pranë lumit Shkumbin, dogjën automjetin, i cili dyshohet që u përdor për realizimin ekzekutimit, brenda të cilit u gjetën edhe 2 armë kallashnikovi.  
Lidhur me ngjarjen e rëndë, që terrorizoi gjithë qytetin, policia shoqëroi dhjetëra dëshmitarë, përfshi edhe stafin e lokalit.
Viktima Bledar Muço, sipas burimeve të policisë, nuk rezulton person me precedent penal ndërsa prej 5 vitesh administronte lokalin ku ndodhi ngjarja.
Ai është dhëndër i familjes Shyti, i njohur me pseudonimin “Mustaqe kuqi”, anëtar i bandës “Hakmarrja për drejtësi”, të cilët prej vitesh administrojnë disa prona në qytetin e Lushnjes. 
Një nga pistat e hetimit është ajo e konflikteve financiare të këtyre bizneseve.