RTSH 24 Live

Kosovë

Asociacioni/ Mbahet sot takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel

02/05/2023

Asociacioni/ Mbahet sot takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel

Do të mbahet sot në Bruksel takimi mes Kryeministrt të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Takimi është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët, derisa bëhet e ditur se takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike", thuhet në njoftimin e BE-së.

Në fund të takimit që do të mbahet në ndërtesën e Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian (EEAS) Borrell do të ketë dhe një deklaratë për gazetarët. 

Ndërkohë mbrëmë kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një postim në Twitter nga Brukseli shkruajti se përgatitja për negociata është komplekse dhe e thjeshtë.

Sipas tij, komplekse sepse ka një mori informatash dhe detajesh, por e thjeshtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të thjeshta dhe fisnike.

Ai postoi një foto me stafin e tij këshillues.

Po në mbrëmjen e së hënës kryeministri kosovar pati një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, me të cilin siç është shprehur Kurti, ka theksuar se marrëveshja bazë dhe aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi.

Nga ana e tij, Miroslav Lajçak, emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, tha se takimi i ardhshëm i nivelit të lartë më 2 maj, do të jetë një takim veçanërisht i rëndësishëm”.

/rtsh.al/