RTSH 24 Live

Kulturë

Arti korçar në zi, ndahet nga jeta piktori, Koço Ristani

09/08/2022

Arti korçar në zi, ndahet nga jeta piktori, Koço Ristani

Arti korçar ka humbur sot një nga piktorët restaurator më të njohur, Koço Ristani, i cili ka zënë një vend të veçantë në historinë e restaurimit të veprave të artit në Shqipëri. Ristani u shua pas një beteje të gjatë me sëmundjen. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga familjarët e tij. Koço Ristani, vjen nga një familje e njohur nga zona e Vithkuqit. Ai lindi në Korçë në 8 maj të vitit 1943. Koço, që fëmijë, kishte pasion vizatimin dhe më pas pikturën.

Ai mori mësimet e para nga piktori Vangjush Mio, por studimet për pikturë, Ristani i kreu në Liceun Artistik ”Jordan Misja”, Tiranë. Pas studimeve kthehet në vendlindje – Korçë dhe ishte skenograf në Teatrin “Andon Zako Çajupi”. Në vitin 1980 Koço Ristani ishte pjesë e grupit të parë të restauratorëve të veprave të artit mesjetar në MKAM, Korçë.

Koço Ristani ishte një figurë shumëplanëshe si intelektual dhe qytetar korrekt dhe i nderuar,një artist origjinal që vërtetësinë e figurës njerëzore diti ta interpretojë artistikisht,një artist që ka lënë mbresa me veprat e tij në Rusi, Suedi, Gjermani, Greqi e Maqedoni. Mesazhe të shumta ngushëllimi janë përcjellë nga kolegë, miq të piktorit e artëdashës korçarë.

/rtsh.al/