RTSH 24 Live

Sociale

Arsimi i Lartë, prezantohet Bordi i Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë

10/09/2021

Arsimi i Lartë, prezantohet  Bordi  i Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë

Kryeministri Edi Rama prezantoi të premten Bordin e Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, duke shprehur shpresën se ky arsim në Shqipëri do të arrijë në një nivel tjetër. 

Kryeministri falënderoi të gjithë ata që kontribuan në bordin e parë të akreditimit, duke filluar nga kryetari i bordit, Arjan Gjonçaj, që sipas tij, “ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm qysh në krye të herës, për të hartuar draftin e një reforme ambicioze në arsimin e lartë”.

Rama tha se “bordi i ri është i përbërë nga një numër harmonik ekspertësh të nivelit më të lartë shqiptarë dhe të huaj që shkëlqejnë në karrierën e tyre akademike në vende të ndryshme të botës”.

“Sfida më e madhe për ne si qeveri është si mund të arrijmë t’u japim vajzave dhe djemve që mbarojmë me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme, një zgjedhje alternative me atë për të ikur jashtë”, tha Rama.

“Ne vijmë nga një rrugë shumë e përpjetë. Pak vite më parë na u desh të përballeshim me një situatë ku rrjeti i universiteteve tona ishte një rrjet i shthurur dhe i thurur, sipas gjithë orekseve politike, por jashtë standardeve dhe procesi i akreditimit ishte krejtësisht subjektiv, joprofesional e politik. Si rezultat i kësaj, ne u gjetëm me dhjetëra universitete krejtësisht jashtë kushteve për t’u konsideruar vatra të besueshme dijeje dhe u detyruam të mbyllim plot prej tyre”, tha Rama.

Rekordet që ne kemi arritur në të kundërtën, sipas Kryeministrit, “janë vërtet mbresëlënëse”.

“Midis 60 universiteteve të vitit 2013 shumica nuk ishin fare të akredituar dhe një pjesë e tyre nuk kishin asnjë plan pune dhe përgatitje për tu futur në proces akreditimi. Ne u gjetëm me 8 herë më shumë universitete se sa Britania e Madhe për numër banorësh. Arritëm të kemi 1432 programe të ndryshme mësimore, a thua se i kishim dhe i kemi dhe mundësitë që ne të përgatisim vajzat dhe djemtë e këtij vendi për mbi 1 mijë profesione”, tha Rama.

Një tjetër rekord, sipas tij, “ishte ai i 50 programeve mësimore ku nota mesatare e të regjistruarve ishte 5.5”.

Kryeministri kujtoi se “disa prej këtyre programeve nxirrnin mësuesit dhe pedagogët e ardhshëm por edhe drejtues të bordeve të natyrave të ndryshme të sistemit”.

“Deri vetëm para pak vitesh janë dhënë një rekord diplomash, afro 1 mijë të tilla, për të huaj që nuk njihnin gjuhën shqipe dhe prezumonin që kishin studiuar në një universitet me programe shqip. Asnjë nga universitetet në fjalë nuk kishte asnjë program në gjuhë të huaj. Janë dhënë diploma në universitete private në formë shkëmbimi në natyrë ku studentët nuk paguanin universitetin, por regjistronin shërbime si lyerje, larje, punime hidraulike, zdrukthtarie e të tjera në funksion të pronarëve të universiteteve, si për infrastrukturën apo për shtëpinë e parë dhe të dytë të pronarit”, tha ai.

Rama tha se pjesë e pagesës për të hyrë në universitete dhe për të marrë diplomën ishte edhe dhënia e lopëve, deleve, orizit, fasuleve, zhavorrit, druve të zjarrit”. “Studentë që nuk hynin dot në universitete publike, që vinin nga familje relativisht të varfra dhe nuk kishin mundësi të paguanin tarifat dhe ofronin për pronarët çfarë kishin mundësi si lëndë të parë.
Ka pasur regjistra të 2013 në universitete ku përshkruhej se x diploma janë tërhequr nga shefi. Nuk dihet se kush i ka marrë por ishin edhe indulgjenca që i jepeshin personave që nuk kishin ardhur asnjë ditë në universitete”, shtoi Rama.

Kryeministri solli në vëmendje dhe problemin me disbalancat e programeve, që ka bërë që Shqipëria të trashëgojë numrin më të madh për kilometër katror të juristëve në botë.

“Këtu ndërhyrja ishte një kthesë shumë e fortë dhe faktikisht sot çdo universitet publik apo privat, që të mund të operojë duhet të akreditohet dhe akreditimi i universiteteve nis falë një bashkëpunimi kyç me Agjencinë Britanike të Akreditimit, prania e së cilës i ka dhënë besueshmëri dhe ka qenë sfidë për vetë universitetet”, shtoi Rama.

Por, kryeministri kërkoi që të mos krijohet ideja se kontrastin e madh mes situatës së vitit 2012 dhe situatës sot, ne si qeveri e konsiderojmë një arsye për të qenë të lumtur apo të kënaqur.

‘Ne nuk jemi aspak kështu dhe situata e sotme nuk na jep aspak mundësinë të flemë të qetë, pasi asnjë qeveri e përgjegjshme nuk mund ta bëjë këtë. Problematikat sot janë realisht serioze. Sfida më e madhe për ne si qeveri është si mund të arrijmë t’u japim të rinjve që mbarojnë me rezultate të shkëlqyera një zgjedhje alternative me atë për të ikur jashtë. Ne nuk kemi arsye të besojmë se duhet të frenojmë shkuarjen e të rinjve në universitetet më prestigjoze, por fakti se janë plot ata që largohen për shkak se këtu alternativa është larg së qeni tërheqëse është një fakt që na bënë të jemi kokëulur në raport me ku duhet të jetë arsimi i lartë”, tha Rama.

Ai tha se “krenaria për atë që kemi bërë, nuk është ngushëllim për të mos parë në sy situatën e vështirë me të cilën ne duhet të përballemi me sukses”.

“Ne presim nga bordi integritet maksimal në vendimmarrje, pavarësisht se kush cënohet në interesat e veta në sistemin tonë akademik, sepse përndryshe çdo vendimmarrje cënon mijëra të rinj dhe prindër dhe të ardhmen e vendit”, tha Rama.