RTSH 24 Live

Kosova

Arrestohen dhjetë zyrtarë komunalë në Kosovë

15/07/2021

Arrestohen dhjetë zyrtarë komunalë në Kosovë

Dhjetë zyrtarë komunalë u arrestuan të enjten në komunat e Kosovës: Istog, Pejë, Deçan, Junik dhe Klinë, nën dyshimet për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.

Kyeprokurori në Prokurorinë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, dha më shumë detaje në një konferencë për media:

"Në mesin e dhjetë personave të arrestuar, katër prej tyre janë drejtorë të Urbanizmit të komunave Istog, Pejë, Deçan e Klinë dhe të tjerët janë zyrtarë të këtyre drejtorive".

Prokuroria Themelore në Pejë tha se ka bazë të mjaftueshme për të vazhduar më tutje hetimet rreth këtij rasti.

Më herët, Prokuroria në Pejë tha se bastisjet janë kryer nga Policia e Kosovës në Pejë, Klinë dhe Istog, pas dyshimeve se disa zyrtarë komunalë kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, lidhur me disa ndërtime të paligjshme.

“Për këto veprime në terren janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë”, thuhej në komunikatë.