RTSH 24 Live

Aktualitet

Arrestimi/ Laert Haxhiu tentoi t’i ikë Policisë greke, pas përplasjes me 3 makina, u bllokua nga shpërthimi i gomës

24/05/2023

Arrestimi/ Laert Haxhiu tentoi t’i ikë Policisë greke, pas përplasjes me 3 makina, u bllokua nga shpërthimi i gomës

Arrestimi i të shumëkërkuarit Laert Haxhiu, është pasqyruar në mediat greke, të cilat kanë dhënë detaje shtesë mbi kapjen e tij nga autoritetet helene.

Arrestimi i 31-vjeçarit Laert Haxhiu nga Policia greke, ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, pas një ndjekje aventureske. Efektivët e policisë i kanë bërë me shenjë Haxhisë të ndalojë automjetin në zonën e Eleuzës së Janinës, por 31-vjeçari jo vetëm nuk i është bindur urdhrit, por ka hedhur gaz në drejtim të efektivëve.

Gjatë ndjekjes nga policia, mjeti me të cilin po udhëtonte Haxhiu, ka përplasur tre automjete dhe bordurën e rrugës, dhe ndalimi i automjetit ndodhi pas shpërthimit të njërës prej gomave dhe hapjes së airbagëve.

Haxhiu shoqërohej në makinë nga dy persona të tjerë, të cilët së bashku me 31-vjeçarin janë vënë në prangat e autoriteteve helene.

Sipas Protothema “Nga hetimet rezultoi se një nga tre të arrestuarit ishte Laert Haxhiu, i cili kërkohet nga policia shqiptare si pjesëtar i një grupi kriminal dhe akuzohet për vrasje dhe tentativë vrasje në Shqipëri. Madje, ndaj tij ishte shpallur “njoftimi i kuq” i kërkuar nga Interpoli.

Sipas të njëjtave informacione, drejtuesi i mjetit që erdhi nga Athina për të marrë banditin e rrezikshëm dhe një person tjetër nga një pikë e paruajtur kufitare, kishte angazhuar autoritetet policore edhe në vitin 2021, kur mbeti i plagosur nga të shtënat me armë drejt pronarit të një pikë karburanti në Tebë dy vjet më parë”, thuhet në artikull.

Edhe dy personat e tjerë që ndodheshin me Laert Haxhiun u arrestuan. Ata janë të njohur për autoritetet greke, njëri prej të cilëve Juxhin Bajrami 35-vjeç, kushëriri i Marius Diamantit nga Delvina, i cili u vra në një karburant në Athinë dy vite më parë. Në atë kohë, 35-vjeçari vetë mbeti i plagosur.

Ka qenë pikërisht kushëriri i Mario Diamantit, raporton shtypi grek, shoferi i makinës BMW, ku ndodhej Laert Haxhiu. Ai kishte ardhur nga Athina për të marrë 31-vjeçarin shqiptar.

Edhe personi i tretë që udhëtonte në makinë me Laert Haxhiun, një 22-vjeçar shqiptar, është person i kërkuar nga autoritetet shqiptare për plagosje të rëndë me dashje. Tre të arrestuarve, policia greke u sekuestroi një shumë parash prej 1400 eurosh dhe 4 celularë.
Laert Haxhiu i paraqiti policisë greke një dokument fals nën emrin e Mikin Askalidis 32-vjeç lindur në Gjeorgji. Nga verifikimi i gjurmëve të gishtave, policia greke zbuloi se bëhej fjalë për një të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.

Laert Haxhiu ishte dënuar me 18 vite burg për masakrën në Lushnje të 11 tetorit 2017 ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, por u shpëtoi shënjestra Xhulio Shkurti.

Sipas policisë Haxhiu jetonte në Janinë me leje qëndrimi greke të falsifikuar. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e kishte dënuar këtë shtetas me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Nisin procedurat për ekstradimin e tij.

Në foto, makina me të cilën po udhëtonte Leart Haxhiu

/rtsh.al/