RTSH 24 Live

Aktualitet

Arrestimi i zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Policisë, Balla: Në vijim, 14 operacione në bashkëpunim me Italinë

21/11/2023

Arrestimi i zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Policisë, Balla: Në vijim, 14 operacione në bashkëpunim me Italinë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar mbi operacionin e zhvilluar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Shtetit mbi arrestimin e ish-nëndrejtorit të Policisë, Erzen Breçanit, dhe urdhër-arrestet e lëshuara për disa efektivëve dhe ish-efektivëve të tjerë.

Balla bëri me dije se policia po vijon punën për ndalimin e personave që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.

Dje pasdite dhe gjatë natës Policia Shtetit ka finalizuar një operacion kompleks të goditjes së krimit të organizuar të përshirë në krime kundër personit dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, rezultat konkret i hetimeve profesionale nën drejtimin e Prokurorisë Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e Policisë së Shtetit në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit që çoi në arrestimin e të gjithë personave që ndodhen në Shqipëri. Ndërsa vijon puna për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë”, tha Balla.

Ministri bëri me dije se në rrjetë kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit. Balla theksoi se vetëpastrimi në Policinë e Shtetit, do e çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.

Gjej rastin t’i falenderoj dhe përgëzoj prokurorët për besimin dhe bashkëpunimin. Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit si dhe persona të tjerë bashkëpunëtorë me ta.

Ky operacion domethënës është konsolidimi i ngritjes në një nivel tjetër të vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij, në funksion të rendit ligjor në të gjithë territorin.

Sot gjej rastin të rikonfirmoj besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët në vetë-pastrimin e Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit”, u shpreh ministri.

Kujtojmë se ditën e djeshme, u arrestua ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani bashkë me një nga djemtë e tij, Eralb Breçani. Në pranga kanë rënë edhe 10 persona te tjerë mes tyre edhe policisë dhe ish- policë.

Duke u ndalur sërish te aksioni i Policisë së Shtetit mbi goditjen e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të policisë, dhe lëshimin e 11 urdhër-arresteve, Balla bëri me dije se Policia shqiptare së bashku me atë italiane po zhvillojnë aktualisht 14 operacione. Balla u shpreh se në fokus është çuarja përpara e procesit të vetëpastrimit.

/rtsh.al/