RTSH 24 Live

Politikë

Arrestimi i Salianjit, Bardhi: S’ka më marrëdhënie institucionale në Kuvend, përshkallëzojmë aksionin politik

3 orë para

Arrestimi i Salianjit, Bardhi: S’ka më marrëdhënie institucionale në Kuvend, përshkallëzojmë aksionin politik

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi tha se nga momenti kur deputeti Ervin Salianji do të shkojë në burg, në atë që e cilëson “burgosje politike”, grupi i PD nuk do të ketë asnjë marrëdhënie normale institucionale me mazhorancën në Kuvend dhe se opozita do të përshkallëzojë aksionin e saj politik në protesta.

Duke mos sqaruar nëse do të bojkotojë seancat plenare apo nuk do të lejojë zhvillimin normal të tyre, Bardhi tha se këto vendime janë marrë nga grupi, por do shihen në vijim se si do të veprojnë.

Gjatë një konference për media pas mbledhjes së grupit, Bardhi tha se PD respekton vendimin e Salianjit për t’u vetëdorëzuar, por shtoi se me urdhër të Ramës, deputeti Salianji nuk u lejua që të bënte rekurs në Gjykatën e Lartë dhe po arrestohet pa u autorizuar nga Kuvendi.

“Kur një deputet i opozitës çohet në burg si shenjë hakmarrje personale e Ramës dhe Fatmir Xhafës rreziku është në derën e çdo qytetari. Me vendimin e djeshëm nuk ka rënë vetëm shteti ligjor, nuk është goditur vetëm opozita, me vendimin e djeshëm rreziku është për secilin prej nesh dhe kemi vendosur ti qëndrojmë përballë Ramës dhe krimit të organizuar. Ne respektojmë vendimin e kolegut tonë Salianji, edhe pse ai e konsideron padrejtësi vendimin politik të gjykatës së Apelit, mirëpo fakti që ligjërisht ai vendim është në fuqi edhe pse efektet nuk mund t’i prodhoje ndaj mandatit të një deputeti pa u autorizuar nga Kuvendi siç urdhëron kushtetuta dhe pa u zbardhur vendim i gjykatës që të dimë arsyet pse u dënua, pa i dhënë mundësi të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, në këtë kuptim grupi i PD duke respektuar qëndrimin personal dhe politik të deputetit Ervin Salianji ka vendosur atë që në fakt është vendimmarrje politike e grupit. Nga ky moment me burgosjen politike të deputetëve të opozitës nuk ka për të patur asnjë marrëdhënie normale institucionale me shumicën e komanduar nga Rama në kuvendin e  Shqipërisë”,  tha Bardhi.

Bardhi bëri të ditur se opozita do të përshkallëzojë aksionin e saj politik duke nisur nga data 6 tetor duke qenë prezentë në çdo rrugë e shesh të vendit në mbrojtje të demokracisë.

“Mbështes përshkallëzimin e aksionit politik duke nisur nga data 6 tetor me protestën e thirrur nga Kryesia dhe vijimin rezistencës me qytetarët në çdo rrugë dhe lagje të vendit. Kjo nuk është betejë që ne demokratë po bëjmë për partinë , por për  Shqipërinë  ku për 34 vite nuk ka ndodhur kurrë që një deputetet të çohet në burg për një vepër penale që nuk ka ndodhur kurrë. Ndërkohe ish ministrja e jashtme e Ramës shëtiti e lire dhe Rama merr vendim politik duke mos e dorëzuar përballë gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi.

/rtsh.al/