RTSH 24 Live

Aktualitet

Arratisja e 35 viteve më parë, përkujtohet ngjarja me tre shokët nga Cërriku

7 orë para

Arratisja e 35 viteve më parë, përkujtohet ngjarja me tre shokët nga Cërriku

Ngjarja me protagonist tri shokë nga Cërriku daton më 25 shkurt të vitit 1990, kur në tentativën për t’u arratisur nga mali i Korabit, Sokol Hado, Frederik Haruni u ekzekutuan në kufi. I vetmi që mbijetoi ishte Enver Malko, i cili përfundoi pas hekurave.

35 më pas, miq e të afërm zhvilluan në ambientet e ish-kinemasë së qytetit një takim në përkujtim të të rinjve.

"Dy djemtë, Sokoli dhe Frederiku mbetën të vrarë, ndërsa Enver malko, i cili është dëshmitar i gjallë i kësaj ngjarjeje mbeti i plagosur, u arrestua, u torturua, bëri burgun dhe mbas ngjarjeve të '90-ës, në mars, doli nga burgu dhe sot jeton në Gjermani," tha profesori i gjuhës shqipe, Hyqmet Zane.

"Për fatin e keq, diktatura e konsideroi këtë qytet si vend internimi. I njihja personalisht. Gjëmë e madhe për ato familje," u shpreh mësuesi Servet Duzha.

Në mesazhin e tij, deputeti demokrat Dashnor Sula theksoi rëndësinë që ka kujtimi i këtyre ngjarjeve sidomos për brezin e ri.

"... urrejtja ndaj djemve të rinj apo atyre qytetarëve të cilët kërkonin një jetë ose që të njihnin Perëndimin, vazhdonin t'i godisnin dhe t'i vrisnin në kufi, në telat me gjemba me të cilat qe rrethuar Shqipëria, që deri në atë kohë, në vitin '90, ishte një burg i madh me ku 4 milionë shqiptarë të burgosur," tha z. Sula.

Ky takim përkujtimor u mbajt në ish-Kinemanë e qytetit, një formë simbolike ku vite më parë në të njëjtin ambient u zhvilluan me dhjetëra gjyqe komuniste me mjaft persona të dënuar.

/rtsh.al/