RTSH 24 Live

Teknologji

Apple drejt arritjes së statusit të kompanisë së parë në botë nga vlera rekord monetare

22/02/2021

Apple drejt arritjes së statusit të kompanisë së parë në botë nga vlera rekord monetare

Vlera e tregut e Apple është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme nën lidershipin e Tim Cook. Një dekadë më parë Apple vlerësohej me 300 miliardë dollarë ndërsa sot kalon 2 trilionë dollarë. Është kompania e parë që ka kaluar 1 trilionë dhe 2 trilionë dollarë vlerë, por mesa duket ka ende hapësirë për rritje të vazhdueshme të vlerës së saj.

Në 2018-ën Apple u vlerësua më 1 trilionë dollarë, ndërsa në 2020-ën shkoi në 2 trilionë dollarë. Trajektorja e kësaj rritjeje sugjeron se kompania mund të arrijë 3 trilionë dollarë deri në fund të 2021.

Shtetet e Bashkuara mbeten tregu kryesor i Apple. Dy analistë, Daniel Ives dhe Strecker Backe,  thanë për Apple Insider se bazuar në ecurinë e kompanisë, vlera 3 trilionë dollarë mund të arrihet përpara 2022.

Ka shumë gjëra të cilat mund të ndihmojnë kompaninë të arrijë vlera rekord, siç është suksesi i superciklit iPhone 12, i cili parashikohet të shitet në 240 milionë njësi, duke thyer rekordin e 2015-ës me 231 milionë iPhone të shitur.