RTSH 24 Live

Aktualitet

Anulohen fluturimet nga Rinasi/ Balluku: Grusht shteti! Të përfshirë Meta e Berisha! Sot s'mund të vijnë vaksinat anti-COVID

07/04/2021

Anulohen fluturimet nga Rinasi/ Balluku: Grusht shteti! Të përfshirë Meta e Berisha! Sot s'mund të vijnë vaksinat anti-COVID

Kontrollorët e trafikut ajror të AlbControl kanë ndalur punën pas uljes së pagave nga 4400 dollarë në 2400 dollarë me argumentin se kanë stres.  Për pasojë sot janë anuluar të gjitha fluturimet nga Aeroporti i Rinasit. Ata kanë deklaruar thuajse të gjithë njëkohësisht paaftësinë për punë. Një gjë të tillë, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e ka quajtur një "grusht shteti", ku janë të përfshirë ish- kryeministri Sali Berisha dhe presidenti, Ilir Meta. Ajo tha se si pasojë e këtij vendimi, sot nuk mund të vijnë dot vaksinat anti-COVID, të sëmurët apo trupat e pajetë të shqiptarëve që kanë humbur jetën jashtë vendit, duke e quajtur absurditet e duke paralajmëruar ndëshkime. Udhëtimet mbi hapësirën ajrore shqiptare vijojnë sepse janë 5 kontrollorë që ofrojnë shërbim dhe nuk kanë deklaruar paaftësinë. Megjithatë ky shërbim cilësohet si jo i sigurt. Një vit pas uljes së rrogës, kontrollorët e trafikut ajror kanë vendosur që të bllokojnë fluturimet me një grevë e cila, në fakt, nuk lejohet nga ligji. Ndalimet e grevës për punonjësit e kontrollit ajror është shumë e qartë në Kodin e Punës. Sipas nenit 197/5  të Kodit të Punës ndalohet greva për disa shërbime jetike, ku në shkronjën ç të pikës 2 të këtij neni thuhet qartë që ndalohet greva për shërbimet e kontrollit të trafikut ajror.

pagat e kontrollorëve janë ulur për shkak të masave të marrë prej pandemisë së COVID. Një masë e marrë për shumë sektorë të administratës. Por siç shpjegoi ministrja Balluku për kontrollorët është bërë nga AlbConntrol pasi ata prej një viti tashmë moderojnë vetëm 43% të fluturimeve. 

Kjo është hera e parë që ndodh një protestë nga kontrollorët e ‘AlbControl’, të cilët kanë firmosur deklaratën e paaftësisë në punë për shkak të stresit të vazhdueshëm që kanë, ndikuar edhe nga pandemia. AlbControl është një kompani me kapital 100% shtetëror dhe në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës. 65 janë kontrollorët që kanë disa kërkesa që pritet t’i negociojnë.  Vitin e kaluar bordi i AlbControl i uli pagat me 62%, ndërkohë që kontrollorët kanë firmosur kontratën e paaftësisë në punë edhe për shkak të stresit ndaj pandemisë, por nuk është marrë parasysh nga drejtuesit.

Kërkesat e kontrollorëve
– Rikthim i kolegëve në punë;
– Shfuqizim i vendimeve të bordit;
– Rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive;
– Transparencë financiare e plotë për vitin 2020;
– Një anëtar sindikate të jetë anëtarë bordi.

13 fluturimet e anuluara që ishin parashikuar për ditën e sotme
Austrian Airlines – Tiranë – Vjenë dhe kthim
Ëizz Air – Tiranë – Milano dhe kthim
Lufthansa – Tiranë – Frankfurt dhe kthim
Air Albania – Tiranë – Stamboll dhe kthim
Air Albania – Tiranë – Bolonja dhe kthim
Aegean – Tiranë – Athinë dhe kthim
Ëizz Air – Tiranë – Bergamo dhe kthim
Air Albania – Tiranë – Bergamo dhe kthim
Austrian – Tiranë – Vjenë dhe kthim
Pegasus – Tiranë – Stamboll dhe kthim
TUI – Tiranë – Bruksel dhe kthim
Air Albania – Tiranë – Romë dhe kthim
Alitalia – Tiranë – Romë dhe kthim