RTSH 24 Live

Kuriozitete

Antarktida në prag të katastrofës klimatike

30/06/2021

Antarktida në prag të katastrofës klimatike

Kur ‘Traktati i Antarktidës’ hyri në fuqi 60 vite më parë, nënshkruesit e tij nuk e kishin dhe aq të qartë se sa sukses do të kishte ai. Udhëheqësit botërorë ranë dakord që të linin larg luftës, armëve dhe mbetjeve bërthamore këtë kontinent të pabanuar, sa dyfishi i përmasave të Australisë. Ata deklaruan se rajoni jugor polar, i cili përbëhet në 98% të sipërfaqes së tij nga akuj dhe që nuk ka popullsi autoktone, nuk duhet t’i përkasë asnjë shteti por përkundrazi, duhet t’i shërbejë bashkëpunimit shkencor. Në dekadat që pasuan u vendosën rregulla shtesë kundër kompanive minerale dhe atyre të shpimit për naftë, duke e kthyer Antarktidën në rezervatin natyror më të madh në botë. Tashmë, ndryshimet klimatike po e minojnë këtë histori suksesi. Rreth 90% e ujit të freskët sipërfaqësor të botës është ‘i kyçur’ në ‘Mburojën e Akullit të Antarktidës’ dhe ndërsa planeti ‘vlon’ nga rritja e temperaturave, akullnajat, zhbërja e të cilave do të përmbyste qytetet bregdetare nga Nju Jorku në Xhakartë, po shkrihen dhe po bëhen më pak të qendrueshme.

Udhëheqësit botërorë janë zotuar të kufizojnë ngrohjen në shumë më pak se 2 gradë Celsius këtë shekull, por politikat e tyre aktuale do ta ngrohin botën me gati 3 Celsius, sipas grupit kërkimor ‘Climate Action Tracker’, me bazë në Gjermani. Një studim i botuar në revistën ‘Nature’ në maj të këtij viti zbuloi se një rritje globale e temperaturës prej 3 Celsisus do të çonte në një “kapërcim të menjëhershëm” në ritmin e humbjes së akullit në Antarktidë, e cila, nga ana tjetër, do të shkaktonte një rritje të shpejtë dhe të pandalshme të nivelit të detit.

Një studim i dytë, botuar në revistën ‘Science Advances’ në qershor, zbuloi se një masiv akulli që mbështetet tek akullnaja Pine Island (175,000 kilometra katrorë) po shkërmoqet në ujë gjithnjë e më shpejt. Kjo akullnajë është përgjegjëse për më shumë se një të katërtën e kontributit të Antarktidës në rritjen globale të detit dhe do të shkrijë më shpejt nëse bie në kontakt me ujëra të ngrohtë.

‘Traktati i Antarktidës’ u nënshkrua në vitin 1959 nga 12 shtete, shkencëtarët e të cilëve kishin qenë aktivë në rajon. Dy vite pas nënshkrimit, hyri në fuqi. Palët ranë dakord që Antarktida të ishte “një rezervë natyrore, dedikuar paqes dhe shkencës”. Për superfuqitë si SHBA dhe ish-BRSS asokohe – të cilat do të vijonin mes tyre me luftërat proxy (konflikte të armatosura ku superfuqitë nuk merrnin pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë) në të gjithë Azinë, Afrikën dhe Amerikën e Jugut në tri dekadat e ardhshme – Antarktida u bë një vend bashkëpunimi që ofroi një “armëpushim të rrallë” pas tensioneve bërthamore të Luftës së Ftohtë. Në hapësira të tjera diplomatike, përfaqësuesit e këtyre vendeve “do të rrihnin gjoksin dhe do të bërtisnin”, tha Sridhar Anandakrishnan, glaciolog në Universitetin Shtetëror të Penn-it në SHBA. Por, në takimet e Traktatit të Antarktidës, “ata mund të flisnin zyrtarisht dhe hapur”.

Rajonet polare të Tokës po ngrohen më shpejt se pjesa tjetër e planetit. Por ndryshe nga Poli i Veriut, i cili është bërë fokusi i tensioneve gjeopolitike pasi shkrirja e akullit zbulon burime të pasura, Poli i Jugut ka pak minerale ose lëndë djegëse të njohura për të shfrytëzuar përveç disa rezervave të qymyrit dhe naftës. Kjo e ka ndihmuar atë të mbrohet nga vëmendja e industrive nxjerrëse. Antarktida është ende mjaft e madhe dhe e ngjashme me zonat gjeologjike aty pranë, duke pasur mundësinë për më shumë burime. Bashkë me peizazhin aspak mikpritës – me akull të trashë dhe mot të ashpër, që e bën të kushtueshme çdo tentativë nxjerrjeje e shpimi, – Traktati e ka mbajtur Antarktidën të lirë nga çdo gjë tjetër, përveç eksplorimit shkencor. Ndalimi është i pacaktuar në kohë dhe data më e afërt e rishikimit të vendimit është viti 2048. Por panorama e ujërave rreth saj nuk është kaq pozitive. “Ndryshimi i klimës po e transformon në mënyrë të njeshme pamjen në Antarktidë”, tha Laura Meller, ekologe dhe eksperte polare pranë ‘Greenpeace Nordic’, organizatë e cila bëri fushatë të suksesshme për të mbrojtur rajonin nga minierat dhe shpimet. Peshkimi i një lloji karkalecësh ka lulëzuar në këto ujëra. Peshkatarët kapën 400 mijë tonë karkalecë në vitin 2019. Këto krijesa – një gur themeli i ekosistemit të Antarktidës, me të cilët ushqehen pinguinët, fokat, peshqit dhe balenat – mund të mbijetojnë vetëm në një interval të ngushtë të temperaturës dhe janë një mbrojtës kundër ndryshimit të klimës.

Antarktida pret rreth 70 mijë turistë çdo vit, kryesisht në verë. Kjo shifër mund të duket e ulët në krahasim me madhësinë e kontinentit, por ata shkojnë kryesisht në të njëjtat vende, gjë që përqendron ndikimin e tyre. Mbeturinat në Antarktidë nuk zhduken: Rajoni është aq i ftohtë dhe i thatë sa nuk ka gjasa që mbeturinat të shpërbëhen ose të zhvendosen, derisa një akullnajë të shkrihet përfundimisht dhe t’i çojë ato në oqeane. “Shkencëtarët atje tashmë po mendojnë të gjejnë një mënyrë ndryshe se si t’i trajtojnë mbeturinat” – thotë glaciologu Anandakrishnan. “Bën mirë të pyesësh veten: a dua ta hedh vërtet këtu këtë paketim ëmbësirash, i cili pas 10 vitesh mund të mbysë një fokë?”