RTSH 24 Live

Art

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore përkujton drejtuesin e tij Haxhi Dalipi

17/03/2023

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore përkujton drejtuesin e tij Haxhi Dalipi

Një nga figurat kryesore të muzikës shqiptare Artisti i Merituar i ndjeri Haxhi Dalipi, do të përkujtohet me një koncert këtë të premte në Teatrin e Operas dhe Baletit me rastin e 80 vjetorit të lindjes së tij. 

Koncerti ka një program të larmishëm më këngë të kompozuara nga profesori Haxhi Dalipi, por ai do të marrë ngjyra edhe më këngë dhe valle nga krahina të tjera të Shqipërisë. 

Haxhi Dalipi ka qenë muzikant, etnomuzikolog dhe mbante titullin “Artist i Merituar”. Ai e ka nisur aktivitetin si dirigjent kori në Ansamblin “Labëria” të Vlorës, pedagog në Akademinë e Arteve dhe Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, si dhe drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Profesor Dalipi ka dhënë kontributin e vet në etnomuzikologjinë shqiptare. Ai ka krijuar dhe riorkestruar shumë këngë e valle popullore shqiptare, nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga Kosova, Tropoja, Shqipëria e Mesme e Labëria, duke i sjellë rifreskuara për publikun. 

Gjatë aktivitetit të tij Haxhi Dalipi do të mbahet mend edhe për romanca, balada, rapsodi e opereta për fëmijë.

/ rtsh /