RTSH 24 Live

Teknologji

Anija kozmike  “Shenzhou-14” lidhet me stacionin hapësinor, tre astronautët hyjnë në modulin kryesor

07/06/2022

Anija kozmike  “Shenzhou-14” lidhet me stacionin hapësinor, tre astronautët hyjnë në modulin kryesor

Anija kozmike kineze “Shenzhou-14” është bashkuar me modulin kryesor të stacionit hapësinor të Kinës “Tianhe” dhe tre anëtarët e ekuipazhit të kësaj anijeje hynë në modul, njoftoi Radio e Jashtme e Kinës.

Anija kozmike kreu me sukses një takim të shpejtë të automatizuar dhe u lidh me portin radial të modulit kryesor të stacionit hapësinor “Tianhe”, porti përballë Tokës, pasi ndryshoi në mënyrë autonome orbitën e saj gjashtë herë,tha Zyra e Inxhinierisë së Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës (CMSEO).

I gjithë procesi i bashkimit zgjati rreth shtatë orë.

Më pas, treshja e astronautëve kreu teste mjedisore dhe hyri në anijen e mallrave “Tianzhou-4” . Anija e mallrave, e nisur më 10 maj, mbart gjashtë muaj furnizime për jetesën e taikonautëve, siç quhen ndryshe astronautët kinezë, pjesë këmbimi për mirëmbajtjen e stacionit hapësinor dhe pajisje të kërkimeve hapësinore

"Këtë herë, ajo (anija kozmike) u lidh nga pozicioni radial, ose pozicioni më i vështirë. Por ne bëmë një punë të mirë. Ne e vlerësojmë teknologjinë të qëndrueshme dhe të konsoliduar," tha për CGTN-in Gao Xu, zv.kryeprojektuesi i sistemit të anijeve kozmike me astronautë “Shenzhou” të Akademisë së Teknologjisë Hapësinore të Kinës.

Gao tha se kombinimi është në gjendje të shkëlqyer për të montuar stacionin hapësinor.

Tre taikonautët hapën katër kapakë kapsulash përpara se të hynin me sukses në modulin bazë të stacionit hapësinor, duke nisur udhëtimin e tyre të ardhshëm gjashtëmujor në hapësirë.

Përparësia e ekuipazhit të “Shenzhou-14” është aktivizimi i sistemeve thelbësore për jetën njerëzore, si riciklimi i oksigjenit, uji i pijshëm dhe mjedisi i fjetjes, tha Wang Saijin, zv.kryeprojektuesi i Qendrës së Kontrollit të Hapësirës Ajrore të Pekinit (BACC) në një intervistë të mëparshme.
"Në javën në vijim, taikonautët do të hapin kapakët e dy anijeve kozmike të mallrave, ‘Tianzhou-3’ dhe ‘Tianzhou-4’, për të organizuar dhe lëvizur pakot e furnizimit për përdorim në të ardhmen. Por së pari ata meritojnë pak pushim," shtoi Wang.

Detyrat për ekuipazhin prej tre anëtarësh do të jenë më të komplikuarat dhe më të vështirat deri më tani, sipas Huang Weifen, kryeprojektuesi i sistemit të astronautëve të Qendrës së Astronautëve të Kinës.

Stacioni hapësinor do të zhvillohet nga një strukturë me një modul në një strukturë bazë me tre module, e përbërë nga moduli kryesor “Tianhe” që aktualisht rrotullohet rreth Tokës, dhe dy modulet e ardhshme laboratorike “Wentian” dhe “Mengtian”.
Wang tha se dy arritje të mëdha do ta bëjnë këtë mision të veçantë:

"Njëra është se ne do të dëshmojmë përfundimin e kombinimit të stacionit hapësinor me tre module, dhe tjetra është kur ekuipazhi i ‘Shenzhou-14’ dhe ai i ‘Shenzhou-15’ që do të mbërrijë në të ardhmen do të takohen në stacionin hapësinor."

Ekuipazhi i “Shenzhou-14” do të qëndrojë në hapësirë për gjashtë muaj. Modulet e veçanta laboratorike janë planifikuar të mbërrijnë veçmas në korrik dhe tetor, të pasuara nga anija e mallrave “Tianzhou-5” dhe anija kozmike “Shenzhou-15” me ekuipazh më vonë këtë vit