RTSH 24 Live

Sociale

Anija avullore në liqenin e Shkodrës, historianët sugjerojnë të vendoset në Muzeun e Lundrimit

10/07/2024

Anija avullore në liqenin e Shkodrës, historianët sugjerojnë të vendoset në Muzeun e Lundrimit

Rënia e nivelit të liqenit të Shkodrës ka nxjerrë sërish në sipërfaqe anijen avullore ushtarake austro–hungareze, e cila mendohet se i përket shekullit të 19-të.

Historiani Zamir Tafilica i ka propozuar arkitektit Hezus Fernandez i cili ka hartuar projektin e Muzeut “Marubi” dhe sheshin e Shirokës, që kjo anije të nxirret nga liqeni dhe të vendoset në Muzeun e Lundrimit, i cili është parashikuar të ndërtohet tek Ura e Bunës.

Anija është ruajtur në gjendje të mirë nën ujë dhe i vetmi dëmtim që ka pësuar është në pjesën e poshtme aty ku ka marrë edhe goditje nga një mjet shpërthyes, që i ka shkaktuar edhe mbytjen.

“Mjet lundrues me funksion ushtarak. Ka të gjitha pjesët e një anije me avull”, tha Tafilica.

Anija ndodhet prej vitesh nën pushtetin e barishteve dhe mbetjeve të tjera, por gjithçka është gjetur në këtë anije, i është dërguar me një raport të saktë, Ministrisë së Kulturës.

Ajo ruhet në ujërat e liqenit si diçka me vlerë për të cilën duhet të kujdesen organizmat përkatës për ta kthyer në një objekt të vizitueshëm dhe me vlera historike.

Gazetar: Mirsad Rakaj

/rtsh.al/