RTSH 24 Live

Botë

Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO, Blinken takim me shefin e diplomacisë turke

18/05/2022

Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO, Blinken takim me shefin e diplomacisë turke

Sekretari i Shtetit Antony Blinken, do të takohet të mërkurën me homologun e tij turk në Nju Jork, në përpjekje për të sqaruar qëndrimin kundërshtues të Ankarasë ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, dhe si mund të kapërcehet ai.

Uashingtoni duket se ka vendosur të injorojë publikisht komentet e Presidentit Erdogan, që thotë se nuk mund t’i lejojë këto dy vende të anëtarësohen në NATO, për shkak të mbështetjes, që, sipas tij, u japin grupeve që Turqia i sheh si rrezik për sigurinë e saj.

“Nuk na takon ne të flasim për qëndrimin e qeverisë turke”, tha dje zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price, në përgjigje të disa pyetjeve rreth qëndrimit të Ankarasë dhe në se Turqia i ka kërkuar diçka tjetër qeverisë amerikanë në shkëmbim të ndryshimit të qëndrimit të saj.

Ajo që po rrezikohet për Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, është mundësia për t’iu përgjigjur sulmit rus në Ukrainë, duke forcuar dhe zgjeruar aleancën, pikërisht e kundërta e asaj që Presidenti Putin shpresonte të arrinte para se të fillonte sulmin.

Qëndrimi i Presidentit Erdogan, se ai mund ta bllokojë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës, nxjerr në pah një dobësi të mundshme që Përsidenti Putin është përpjekur ta shfrytëzojë në të kaluarën, miratimin e vendimeve me konsensus, ku një anëtar i vetëm mund të bllokojë vendimet që mbshteten nga gjithë të tjerët.

Kundërshtimet verbale të Turqisë, po shkaktojnë gjithnjë e më shumë shqetësim në Uashington dhe kryeqytetet e tjera të vendeve të NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të djelën, pas bisedimeve me zyrtarët turq, se Ankaraja e ka bërë të qartë se synimi i saj nuk është të bllokojë anëtarësimet. Po ashtu, sekretari Blinken dhe Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Barbock, shprehën besim të plotë se gjithë anëtarët e NATO-s, përfshirë Turqinë, do ta mbështesnin anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.

/rtsh.al/