RTSH 24 Live

Politikë

Analisti Riçard Kremer: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut brenda 2030, pjesë të familjes europiane

04/08/2022

Analisti Riçard Kremer: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut brenda 2030, pjesë të familjes europiane

Pas nisjes së bisedimeve të anëtarësimit, analistët kanë vlerësuar mundësinë e përfundimit të tyre për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. "Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund ta shohin veten brenda 2030 pjesë të familjes europiane". Riçard Kremer, njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor nga organizata Aleanca SHBA – Evropë në Uashington në intervistën për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, e ka parashikuar si realist këtë vlerësim të disa analistëve për përfundimin e bisedimeve të anëtarësimit për të dy vendet që sapo mbajtën konferencat e para ndërqeveritare.

Në vështrimin amerikan, ndërsa ka shprehur kënaqësinë që Shqipëria është paketë me Maqedoninë e Veriut që ka qenë kandidate për në BE që përpara 17 vitesh, vlerësimi i Kramer është se të dy vendet janë të orientuara drejt demokracive perëndimore, jo regjimeve autoritare. 

Në këtë kontekst të orientimit të dy vendeve, sipas tij, parashikimet e disa analistëve janë të realizueshme, se deri në vitin 2030 Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të bëhen pjesë e familjes evropiane.

Në të njëjtën kohë analisti amerikan paralajmëron gjithashtu se rajoni është i prekshëm nga përhapja e propagandës ruse vetëm nëse qytetarët besojnë në dezinformata të ndryshme, burime informacioni të paverifikuara dhe të dyshimta. 

"Për sa kohë që SHBA do të vazhdojnë të ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor që të bëhen demokraci të konsoliduara të tregut të lirë dhe të hapur, do t’i ndihmojë ata të integrohen më lehtë në BE", siguron ai. 

Por ndërsa në Shqipëri, mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare e uli vëmendjen publike ndaj procesit, në Maqedoninë e Veriut diskutimet qëndrojnë tani në vendimet që do të merren për të prekur preambulën e Kushtetutës kur përveç pakicës bullgare, do të përmenden edhe pjesët e tjera të popullsisë në përbërje të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut si shqiptarët, serbët. etj.

Autoritetet më të larta të vendit kanë vazhduar të sigurojnë publikisht se procesi i nisur është i pakthyeshëm dhe se varet nga vendi se shpejt do të ecet përpara e do të arrijnë anëtarësimin në BE. 

/rtsh/