RTSH 24 Live

Politikë

Amnistia fiskale, Rama: S’jemi askush për t’i thënë shqiptarëve se s’mund të formalizojnë të ardhurat e tyre

28/09/2022

Amnistia fiskale, Rama: S’jemi askush për t’i thënë shqiptarëve se s’mund të formalizojnë të ardhurat e tyre

Pavarësisht kritikave të mara nga faktori ndërkombëtar mbi amnistinë fiskale për emigrantët, kryeministri Edi Rama ka theksuar edhe njëherë këtë të mërkurë vendosmërinë e qeverisë për t’i shkuar deri në fund kësaj nisme.

Në një deklaratë për mediat nga kryeministria, ku njoftoi vendimet e Qeverisë, Rama tha prerazi se askush nuk mund t’i thotë shqiptarëve të mos formalizojnë të ardhurat e tyre nga puna në të zezë në emigrim.

Argumenteve se nëpërmjet amnistisë fiskale do të përfitojnë edhe individët që i kanë ngritur të ardhurat me mënyra të jashtëligjshme, Rama tha se nuk mund të paragjykohen 99% e shqiptarëve për shkak të këtij 1%.

Amnistia fiskale do të bëhet sepse e kërkojnë shumica dërrmuese e shqiptarëve. Ne kemi një parti të tërë politike që ka pretenduar të vijë në qeveri dhe është financuar nga një vend armik dhe agresor i Kartës së Kombeve të Bashkuara. Një person të shpallur non grata nga SHBA dhe nëse me radhë mund të marrim të tjera që vazhdojnë të jenë në skenë që pretendojnë të marrin vota e dinjitet e pastërti, atëherë, kush jemi ne, me ça të drejte t’i privojmë shqiptarët të formalizojnë të ardhurat e tyre nga puna në vendet e huaja, pse? Kush jemi ne t’i paragjykojmë 99% të shqiptarëve prej atij 1% që janë pjesë e të këqijave? Nuk jemi askush për të mos lejuar shqiptarët të formalizojnë të ardhurat e tyre, nuk jemi askush t’i themi që nuk munden. Kush na thotë që Shqipëria nuk mund ta bëjë këtë se shqiptarët janë kriminelë, nuk i vë faj se këtë ja kemi bërë ne vetes përmes politikanësh që nuk kanë lënë gjë pa bërë për ta nxirë imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarit. Unë përfaqësoj shqiptarët jo ndonjë shtet tjetër”, tha Rama.

Kujtojmë se Komisioni Europian ka paralajmëruar se drafti për amnistinë fiskale do të dobësojë kontrollin kundër pastrimit të parave si dhe përbën një rrezik thelbësor për reputacionin e vendit. Po ashtu rezerva ka shprehur edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë.

/rtsh.al/