RTSH 24 Live

Ekonomi

Amnistia fiskale/ Ibrahimaj: Po konsultohemi me partnerët tanë, këtë proces e do e gjithë popullata

03/10/2022

Amnistia fiskale/ Ibrahimaj: Po konsultohemi me partnerët tanë, këtë proces e do e gjithë popullata

“Amnistia fiskale është ende në proces dhe po merren për bazë të gjitha rekomandimet e ndërkombëtarëve dhe grupeve të interesit”, ishte mesazhi që ministrja e Financave Delina Ibrahimaj dha kur u pyet për rezervat që BE dhe SHBA kanë bërë për amnistinë fiskale.

Ibrahimaj tha se procesi që ka nisur që në pranverë dhe se është mbështetur nga e gjithë popullata.

“Amnistia fiskale është një proces i cili ka rifilluar që në pranverë, kemi punuar me përmirësimin e draftit të punuar nga Ministria e Financave dhe e Ministria e Drejtësisë, që fillimisht daton në 2020, jemi ende ne fazë konsultimi. Kemi bërë disa konsultime publike me grupet e interesit me partnerët tanë ndërkombëtarë, po vijojnë si në nivel teknik duke marrë parasysh gjithë rekomandimet e mira që ky ligj të jetë një ligj që do të arrijë qëllimin për të cilin do krijohet.

Se kur do finalizohet drafti nuk e kam ende një përgjigje. Po shohim elementet teknikë dhe hartimin e akteve nënligjore që përpara se të miratohet ligji të ketë qartësi dhe për elementet si do zbatohet, është një punë në proces që nuk mban ende një datë për miratimin. Nuk e dimë nëse do jetë në zbatim për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Buxheti do të finalizohet brenda muajit shtator. Nuk synojmë të kemi ndryshime në paketën fiskale. E gjithë popullata u shpreh se ishin pro amnistisë fiskale dhe penale, gati rreth 60% e tyre. Nuk mund të ketë legalizime të një ndërtimi të paligjshëm. Ju e dini që ka filluar si proces diskutimi shumë kohë më parë se të ndërmerreshin nismat e fundit ligjore, Sa i përket normave të interesit ka një kohë veprimi, rritja e normave të interesit sot, nuk reflektohet po sot ka një afat kohor në të cilin do të reflektohet edhe vetë. Ne duhet të kemi kujdes në të gjitha politikat që do të ndërmarrin”, tha Ibrahimaj.

Lidhur me konfiskimin e ndërtimeve pa leje, Ibrahimaj tha se vlerësimi i aseteve do të bëhet me çmimin e tregut dhe jo me vlerën e tyre.

“Procesi për vlerësimin e aseteve që do të jenë subjekt I konfiskimit sapo ka filluar, kthimi nuk do të jetë në bazë të kostos por të vlerës së tregut. Ende nuk kemi një vlerësim të vlerës së tregut për subjektet që do të konfiskohen por do të bëhet në bazë të vlerës së tregut. Nuk kemi një dokument që na caktohen ndërtimet pa leje. Taksa e pasurisë, ne kemi vite që punojmë për hartimin e një projektligji të ri. Drafti ende nuk është I përfunduar, një nga propozimet është që pasuria të taksohet me vlerën e tregut. Kjo është arsyeja përse ligji po merr më shumë kohë“, shtoi ministrja.

Rritja e çmimeve dhe aktiviteti ekonomik në vend ka bërë që të ardhurat në vend në 8 mujorin e parë të vitit janë rritur me 15.9%.

“Të ardhurat janë 15.9 % më shumë. Kjo është lidhur ngushtësisht me çmimet por edhe me aktivitetin ekonomik në vend. Por edhe rritjen e kapaciteteve të mirëadministrimit. Të ardhurat janë 15.9 më shumë në krahasim me një vit më parë. Edhe muaji shtator ka qëndruar në të njëjtën linjë” tha Ibrahimaj.

/rtsh.al/