RTSH 24 Live

Politikë

Ambasadorja e BE në Tiranë: Shqipëria ka nisur një kapitull të ri drejt BE! Hapja e negociatave ofron mundësi të mëdha

05/08/2022

Ambasadorja e BE në Tiranë: Shqipëria ka nisur një kapitull të ri drejt BE! Hapja e negociatave ofron mundësi të mëdha

Ambasadorja e re e Delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, Christiane Hohmann, e cila do të nisë këtë javë misionin e saj i është drejtuar shqiptarëve me një mesazh në rrjetin social Twitter.

Hohmann shprehet Shqipëria sapo ka nisur një kapitull të ri në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe se mezi pret të punojë me institucionet shqiptare për të bërë vendin tonë pjesë të saj.

Gjatë mesazhit ajo thekson se hapja e negociatave ofron mundësi të mëdha për konsolidimin e progresit të arritur dhe thellimin e transformimit të Shqipërisë.

"Shqipëria sapo ka nisur një kapitull të ri në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Hapja e negociatave na afron më shumë dhe na bën më të fortë. Na ofron mundësi të shkëlqyera për të konsoliduar progresin e arritur dhe thellimin e transformimit të vendit tuaj. Unë mezi po pres të punoj me ju, institucionet shqiptare, forcat politike, shoqërinë civile dhe qytetarët për ta bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian”, thekson Hohmann në mesazhin e saj drejtuar shqiptarëve.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, pranoi të enjten Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e re e Delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, Christiane Hohmann.

/rtsh.al/