RTSH 24 Live

Rajon

Ambasadori i BE thirrje Maqedonisë së Veriut: Bëni hapin e radhës për në BE, ndryshoni Kushtetutën

22/05/2023

Ambasadori i BE thirrje Maqedonisë së Veriut: Bëni hapin e radhës për në BE, ndryshoni Kushtetutën
Ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer, ka kërkuar nga Maqedonia e Veriut që të bëjë hapin e radhës drejt integrimeve evropiane, që për të është ndryshimi i Kushtetutës, duke përfshirë pakicën bullgare në preambulën e saj.

Ai theksoi se Shkupi ka hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, por kjo rrugë mund të vazhdohet vetëm me ndryshimin e Kushtetutës.

“Kuptohet se po flasim për një vendim sovran që duhet të merret nga vendi juaj. Mirëpo, po flasim për një vendim thelbësor për të ecur përpara”, tha ambasadori Geer.

Ambasadori i BE-së tha sot ( 22 maj) se Maqedonia e Veriut ndodhet në një moment shumë të veçantë të historisë, pasi sipas tij, procesi i zgjerimit është vendosur si prioritet kryesor në agjendën e BE-së, që do të thotë se gjërat mund të zhvillohen shumë shpejt.

"Maqedonia e Veriut mund ta shfrytëzojë atë mundësi, për të qenë në gjendje të ecë përpara dhe hapi tjetër që duhet bërë është ndryshimi i Kushtetutës", tha Geer gjatë një vizite në qytetin e Ohrit, sipas REL.

Ai përmendi edhe nevojën për reforma, që sipas ambasadorit të bllokut evropian, janë kyçe për dinamizimin e procesit të integrimit evropian.

“Sa më shpejt të zbatohen reformat, aq më e shpejtë do të jetë hyrja e vendit në BE”, u shpreh Geer.

Ndryshimet kushtetuese parashihen në Marrëveshjen me Bullgarisë për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe aspektet historike andaj edhe është kusht për vazhdimin e negociatave të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Në mars 2020, Bashkimi Evropian vendosi që të fillonte negociatat me Maqedoninë Veriut , por ky proces u bllokua nga Bullgaria duke kushtëzuar mbështetjen e saj me zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve. Bullgaria hoqi veton në vitin 2022 pas arritjes së marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut, me ndërmjetësimin e Francës.

Por, ndryshimet kushtetuese tani kundërshtohen nga opozita maqedonase. VMRO DPMNE ka thënë se Brukseli duhet të japë garanci se Sofja nuk do të paraqesë kushtëzime tjera në procesin e mëtejmë të integrimit evropian të vendit.

Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat apo me votat e 80 deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Shumica parlamentare ka 74 deputetë.

/rtsh.al/